JOURNALEGAL ADVISOR
Res Publica ka vendosur në dispozicion të gazetarëve një linjë Whatsapp-i të dedikuar, ku ata tashmë kanë mundësi të këshillohen në kohë reale për të luftuar keqinformimin/dezinformimin dhe për të siguruar mbrojtje përballë organeve ligjore.
Kjo nismë vjen në kuadër të projektit “JournaLegal Advisor: Zyra ligjore e dedikuar për mbështetjen e gazetarëve me këshillim dhe ndihmë ligjore” financuar nga Democracy Commission. Projekti vjen në një situatë kur shpesh publikimet në media nuk janë të sakta, veçanërisht në lidhje me çështjet ligjore (raportimi gjyqësor, kontratat publike, etj.). Gazetarët nuk kanë akses të plotë në informacionin zyrtar, dhe edhe kur kanë akses, nuk e interpretojnë saktë atë. Në këtë mënyrë, krijohen dy skenarë, ku: 1. gazetarët janë të pambrojtur ndaj procedurave kundër tyre dhe 2. publikimet përmbajnë pasaktësi që keqinformojnë/dezinformojnë publikun.
Për këtë arsye, Res Publica kërkon të vazhdojë të përdorë përvojën e saj në këto fusha dhe të krijojë marrëdhënie të mëtejshme me gazetarët dhe studentët e gazetarisë. Ajo do të vijojë mbështetjen e gazetarëve falas për sigurimin e informacionit nga institucionet shtetërore. Ky projekt synon të mbështesë gazetarët me ekspertizë praktike ligjore dhe ndihmë të drejtpërdrejtë juridike në marrjen e informacionit dhe shpjegimin e situatave ligjore kur gazetarët mbulojnë/hetojnë tema të ndryshme ligjore. Ndihma do të ofrohet nëpërmjet 3 komponentëve kryesorë: (1) asistencë ligjore për të aksesuar informacionin; (2) edukimi juridik; (3) interpretimi ligjor dhe këshilla aktive. Të tre komponentët do të synojnë luftimin e dezinformimit dhe do të sigurojnë mbrojtje proaktive për gazetarët.