Edhe për vitin 2021, Res Publica ka vijuar të monitorojë zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit. Raporti ështe pjesë e projektit të mbështetur nga National Endowment for Democracy, i cili konsiston në përmirësimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtës së informimit të qytetarëve shqiptarë.
Viti 2021 solli disa zhvillime të reja, si: nënshkrimi i Konventës së Tromsos, krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim, e kritikuar ashpër nga gazetarët, si dhe në fund të vitit u publikua edhe një draft për disa ndryshime në ligjin për të drejtën e informimit. Res Publica u fokusua në këto zhvillime pa lënë pas dore monitorimin e zakonshëm të punës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe të transparencës së institucioneve.
Raporti sjell shifra krahasuese me periudhat e mëparshme (vitet 2015-2020), për të shfaqur në mënyrë konkrete dhe vizive përmes grafikëve përmirësimin apo përkeqësimin e treguesve konkretë. Në përgjithësi vihet re se tashmë mund të thuhet me bindje që janë “normalizuar” standardet mediokre të zbatimit të ligjit, si dhe po hedhin rrënjë elemente të rinj dëmtues në praktikat e institucioneve. Gjykatat kanë vijuar të jenë pozitive në trajtimet e rasteve. Megjithëse raportet zyrtare e shtrembërojnë të vërtetën rreth zbatimit të ligjit, Res Publica synon të sjellë një pamje tjetër,e cila mund t’i japë organeve politikbërëse sinjalet e duhura për nivelin e dobët dhe alarmant të zbatimit të së drejtës së informimit. Për me shumë mund të shkarkoni raportin e plotë, duke klikuar ketu.