December 14, 2016 in REKOMANDIME PER DRAFTE
- Faqe 6 – Nuk rekomandojmë krijimin e një organi tjetër për të kontrolluar Gjykatën Kushtetuese
Bazuar në nenin 125, pika 2, të Kushtetutës së Shqipërisë, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion. Në këto kushte kur kriteret e emërimit në detyrë të një gjyqtari të gjykatës kushtetuese janë të shumtë, si karrierë e gjatë, pasja e figurës profesionale morale dhe etike të pastër gjatë kohës që ka ushtruar profesionin, procedura e përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese kalon në filtra procedurialo-ligjorë dhe etiko-moralë. Profesionalizmi dhe integriteti prezumohen duke synuar që gjyqtari i këtij niveli është nga elitarët e sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë në vend. Eksperienca e gjykatave të tilla në vendet e zhvilluara tregon që Gjykata Kushtetuese është organ plotësisht i pavarur që vepron pavarësisht nga pushtetet e tjera të Legjislativit dhe Ekzekutivit. Çdo ndërhyrje apo kontroll ndaj kësaj gjykate jashtë sistemit gjyqësor do të prishte balancën mes pavarësisë së pushteteve. Një gjyqtar me përgjegjësi të këtij niveli sigurisht që duhet shoqëruar edhe me mjete shkarkimi apo kontrolli në ushtrimin e detyrës shumë të kufizuara, pikërisht për të ruajtuar pavarësinë dhe mos ndërhyrjen në ushtrimin e detyrës dhe integritetin e tij. Çdo strukture shtesë do të ishte një artific në kontrollin e detyrës së tij dhe do të legjitimonte forcën dhe cenimin e pavarësisë në ushtrimin e detyrës.
Megjithatë, ligji parashikon rastet kur një gjyqtar i tillë mund të procedohet apo shkarkohet. Kushtetuta në nenet 126, 128 dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e gjykatës kushtetuese, neni 10, parashikojnë shkaqet dhe rastet kur gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese procedohet.
Në këto kushte mendojmë që nuk duhet të krijohet asnjë strukture shtesë për kontrollin dhe llogaridhënien e Gjykatës Kushtetuese.
- Faqe 6 – Lidhur me mospranimet e çështjeve në Gjykatën e Lartë rekomandojmë që të shqyrtohen nga një gjyqtar i vetëm dhe jo nga kolegj gjyqtarësh
Jemi të mëndimit se duhet rregulluar dhe thjeshtuar procedura e shqyrtimit paraprak të çështjeve në rastet e moskalimit të rekursve në seancë gjyqësore në Gjykatën e Lartë.
Aktualisht ky shqyrtim kryhet nga një kolegj në Dhomën e Këshillimit, pa qenë të pranishme palët e interesuara.
Kodet përkatese të procedurës përcaktojnë në mënyrë të qartë kriteret që duhet të përbushin rekurset ndaj vendime të gjykatave ndaj të cilave mund të ushtrohet rekurs.
Mendojmë që verifikimi i kushteve për të kaluar çështja në seancë gjyqësore duhet të kryhet në një formulë të ngjashme me atë që ndiqet nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Në fillim rekursi shqyrtohet nga një gjyqtar i vetëm i mbështetur nga ndihmësit ligjorë. Nëse rekursi nuk përmban shkaqet ligjore të detyrueshme, ose është dorëzuar jashtë afatit, apo ka të meta të tjera serioze formale, gjyqtari i vetëm vendos për mospranimin e rekursit. Nëse ky gjyqtar konkludon se këto aspekte janë përmbushur, atëherë ai e delegon çështjen në një kolegj me tre gjyqtarë, të cilët duhet të vendosin në unanimitet. Nëse ky unanimitet nuk arrihet, çështja delegohet në një kolegj me pesë gjyqtarë.
Në këtë mënyrë do të shkurtohet në mënyrë drastike koha e shqyrtimit të rekurseve të shumta që shkojnë në Gjykatë e Lartë dhe do të rrisë efiçiencën e sistemit gjyqësor në përgjithësi për dhënien e drejtësisë në një kohë sa më të arsyeshme.
- Faqe 6 – Pezullimi i ekzekutimit të vendimeve të formës së prerë nga Gjykata e Lartë duhet të shoqërohet me një mundësi shpërblimi të dëmit të pësuar nga pala, e shprehur në interesa.
Lidhur me pezullimin e ekzekutimit të vendimit të gjykatës së Apelit që Gjykata e Lartë e ka kompetencë sipas nenit 479 të K.P.C., jemi të mendimit që duhet rregulluar aspekti i shpërblimit të dëmit të mundshëm të shkaktuar palës në dëm të të cilës vendoset pezullimi.
Pezullimi i ekzekutimit të një vendimi të formës së prerë nga Gjykata e Lartë duhet të kufizohet në kohë gjithashtu. Koha që ekzekutimi i menjëhershëm i vendimit do të sillte pasoja të rënda e të pariparueshme duhet të ketë kufizim. Një nga rastet kur Gjykata e Lartë mund të shqyrtojë me procedurë të përshpejtuar janë çështjet për të cilat është vendosur pezullimi i ekzekutimit nga Gjykata e Lartë. Pikërisht pezullimi ekzekutimit të vendimit përbën shkak për procedurën e gjykimit të përshpejtuar ndaj rekursit në Gjykatën e Lartë. Kjo për faktin që edhe subjekti gjyqfitues nuk duhet të dëmtohet nëse e fiton çështjen edhe pas shqyrtimit të rekursit, por ndërkohë ka qënë i pezulluar për një kohë të gjatë pa limit dhe nuk e ka ekzekutuar të drejtën e tij për një kohë të gjatë, gjë që mund t’i ketë sjellë humbje osë fitim të munguar.
Ky është momenti procedurial që duhet korrigjuar, pra pas pezullimit të ekzekutimit të vendimit, nëse Gjykata e Lartë nuk realizon gjykimin e përshpejtuar siç parashikohet në rregulloren e saj, ose pas një kohe të caktuar konkretisht në ditë kalendarike (p.sh.60 ditë kalendarike), atëherë edhe pezullimi i ekzekutimit të vendimit të formës së prerë duhet të bjerë automatikisht dhe vendimi duhet të ekzekutohet në favor të palës që ka fituar gjyqin. Nëse ky vendim nuk ekzekutohet pas 60 ditëve kalendarike nga momenti i pezullimit të ekzekutimit të vendimit, atëherë gjykata (zyra e administrimit të buxhetit gjyqësor) duhet të shpërblejë gjyqfituesin me një tarifë ditore që mund të fillojë të llogaritet mbi vlerën e objektit të padisë që pas skadimit të afatit të pezullimit. Kjo do të ishte një zgjidhje e drejtë për të mos cenuar të drejtat respektive të palëve në gjykim dhe një motiv i mirë për Gjykatën e Lartë që të veprojë shpejt.
- Faqe 6 – Shpërblimi i dëmit duhet të futet si koncept edhe në çështjet që shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese
Në praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kjo gjykatë, pasi pranon ankesën e një subjekti, sipas rastit vendos edhe për një masë shpërblimi dëmi jopasuror, për të zhdëmtuar subjektin që ka pësuar vonesa, vuajtje, kosto, etj. Në këtë shumë shtohen edhe shpenzimet për avokat. Në rastin tonë, Gjykata Kushtetuese mund të marrë vendime vetëm për të shpallur antikushtetues vendime të autoriteteve, por pa akorduar asnjë masë dëmshpërblimi.
Duke përfshirë shpërblimin e dëmit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese do të jenë më të pranueshme nga subjektet që e vënë në lëvizje, si dhe do të krijojnë mjaftueshëm presion ndaj autoriteteve. Aktualisht Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shprehur se në rastin e ekzekutimit të vendimeve në një kohë të arsyeshme, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk është një mjet efektiv ankimi sepse nuk përmban asnjë mënyrë balancimi të këtij interesi, duke nxjerrë një vendim detyrues me afat për ekzekutimin e vendimit dhe duke shpërbyer dëmin e pësuar nga vonesa e ekzekutimit.
- Faqe 8 – Rekomandojmë të përfshihen parashikime ligjore të mjaftueshme që të rregullojnë përfshirjen e palëve të tjera në formën e amicus curiae në proceset në Gjykatën Kushteuese dhe në Gjykatën e Lartë
Një mënyrë me të cilën OJF-të ose subjekte të tjerë mund të mbështesin paditësit është me anë të paraqitjes së parashtresave para gjykatave në të cilat adresojnë çështje ligjore që ngrihen në rastin eventual, me qëllim për të ndihmuar gjykatën në formimin e një tabloje më të qartë të parimeve ligjore të përfshira. Si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian shpesh përfitojnë nga njohuritë dhe ekspertiza e organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare, duke i lejuar ato të paraqesin ndërhyrje të llojit “amici curiae”.
Duhet theksuar se pavarësisht nga mungesa e një dispozite të shprehur në ligj për këtë qëllim, Gjykata Kushtetuese ka aplikuar këtë gjë në të kaluarën në disa raste, nëpërmjet një kërkese amicus curiae nga Komisioni i Venecias, si dhe lejen e dhënë Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit të paraqesin vërejtjet e tyre me shkrim.[1] Res Publica beson se ligji duhet të parashikojë mundësinë për OJF-të që ato të paraqesin amici curiae para gjykatave të të gjitha instancave, ose të paktën pranë Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Me qëllim për të shmangur mbingarkesën e gjykatave me kërkesa të tilla, qasja e përcaktuar në bazë të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mund të shërbejë si një shembull. Kështu, OJF-ve që dëshirojnë të paraqesin amici curias mund tu kërkohet që të paraqesin një kërkesë në gjykatën për leje paraprake. Kushtet mund të imponohen si në gjatësinë, ashtu edhe në natyrën e këtyre aplikimeve.
- Faqe 8 – Rekomandojmë që e drejta për kontroll abstrakt të ligjit, apo akteve të tjerë, t’u jepet edhe organizatave të ndryshme OJF, në formën e njohur si actio popularis
Shumë Shtete Anëtare të BE-së si dhe vendet kandidate u kanë dhënë OJF-ve apo organeve të tjera (të tilla si sindikatat, por edhe organet e trajtimit të barabartë si Komisionerit Kundër Diskriminimit) zotësinë juridike për të ndjekur procedurat ligjore apo quasi-ligjore (kryesisht në fushën e ligji kundër diskriminimit), në emër të tyre dhe pa nevojë për të identifikuar apo kërkuar pëlqimin e një viktime. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm pasi viktimat e diskriminimit shpesh nuk janë të gatshëm për të nisur procedime ligjore ose administrative, nga frika e viktimizimit. Nuk është e rastit që në çështjen e njohur të Firma Feryn[2], e cila bën fjalë për praktikat diskriminuese në fushën e punësimit, procedura ligjore vendase u nis nga Trupi Kombëtar i Trajtimit të Barabartë, i cili e nisi kryesisht dhe pa siguruar pëlqimin e viktimës.
Disa shtete mbajnë një qëndrim të tillë, me një gamë të madhe organizatash vetëm në lidhje me procedimet administrative quasi-gjyqësore (p.sh. vetëm para komisionerëve), ndërsa shtetet e tjerë u kanë lejuar këtyre subjekteve mundësinë të nisin edhe procese civile. Në fakt, në një sërë vendesh (mes tyre Franca) është e mundur që OJF-të të paraqesin në emër të tyre kërkesa për procedime penale për vepra të caktuara (të tilla si gjuha e urrejtjes).
Kërkesat që organet duhet të përmbushin në mënyrë që ti jepet e drejta për të hapur një çështje actio popularis shpesh pasqyrojnë ato që zbatohen për organizatat e angazhuara në proceset e dëmshpërblimit kolektiv (class action ose collective redress). Këto përfshijnë bashkëpunimin, qëllimin statutor dhe interesin legjitim). Përveç kësaj , një numër vendesh kanë shtuar një ose dy kërkesa pranueshmërie për paraqitjen e një kërkesë padie actio popularis. Kështu organizata duhet të demonstrojë se veprimi i ardhshëm ligjor ka të bëjë me një kategori apo grup njerëzish të caktuar dhe të identifikueshëm që është në disavantazh nga akti / praktika , dhe / ose që numri i personave të prekur është domethënës.
Res Publica konsideron se dhënia e mundësisë OJF-ve për të nisur para gjykatave dhe autoriteteve të ndryshme (më së shumti Komisionerit Kundër Diskriminimit), si dhe dhënia mundësi e Komisionerit Kundër Diskriminimit të nisë vetë kërkesë padi actio popularis do të forcojnë dhe rrisin rolin e këtyre institucioneve dhe do të lejojë që ato të kryejnë funksionet e tyre në mënyrën më efikase. Edhe një herë, duhet të kujtojmë se koncepti i actio popularis është deri diku i pranuar në rendin e brendshëm ligjor. Kështu, fuqia e Avokatit të Popullit që në bazë të nenit 24 të ligjit 8454/1999 “Për Avokatin e Popullit” të bëjë kërkesë për anulimin e një ligji para Gjykatës Kushtetuese është një formë e actio popularis.
- Faqe 10 – Proceset gjyqësore të ngritura në Gjykatën e Paqit nuk duhet të shoqërohen me tarifa gjyqësore të detyrueshme
Jemi të mendimit që gjykatat e ”paqit” të jenë gjykata që të shqyrtojnë objekte gjykimi dhe mosmarrëveshje të thjeshta e me vlerë të vogël padie. Si të tilla në këto gjykata rekomandohet të mos aplikohen tarifat gjyqësore mbi vlerën e objektit të padisë. Kjo shmangie nga tarigat gjyqësore të bëhet me qëllim dhënien sa më të shpejtë të drejtësisë dhe uljen e shpenzimeve gjyqësore për palët duke mos i rënduar ekonomikisht për mosmarëveshje që mund të konsiderohën të vogla për të qënë pjesë e juridiksionit lëndor të gjykatave.
- Faqe 12 – Nuk rekomandojmë mandatin e pakufizuar për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese
Jemi të mendimit që mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të mos jetë një mandat i pakufizuar në ushtrimin e detyrës. Garantimi, paanshmëria dhe pavarësia e gjyqësorit është e rregulluar mirë në një mandat kohor të kufizuar (9-vjeçar). Në raport me madantin e pushteteve të tjerë ky mandat ështe aktualisht më i gjati dhe mendojmë se garanton pavarësi për gjyqësorin. Shqipëria është një demokraci ende e brishtë dhe tashmë është krijuar mjaftueshëm besimi publik për nivelin e lartë të korrupsionit në sistemin gjyqësor. Kjo strategji e reformës në sitemin e drejtësisë synon të vendose ekuilibra kontrollues balancues dhe të luftojë korrupsionin. Po qe se do të kishim një mandat i pakufizuar në kohë për një gjyqtar të një niveli të tillë kjo mund të përbënte shkak për instalimin e pushtetit absolut në kontrollin e sistemit gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit dhe vendosja e shtetit të së drejtës do të bëhej shumë e vështirë.
- Faqe 13 – Rekomandime në lidhje me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë
Në strategjinë e reformës së drejtësisë, në kapitullin e pushtetit gjyqësor, objektivi 3 parashikohet reforimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Jemi dakort me reformimin e këtij organi pasi Res Publica ka monitoruar veprimtarinë e KLD-së dhe konkretisht rastet e procedimeve disiplinore të shqyrtuara nga ky organ dhe ka konstatuar probleme, për të cilat kërkohet një riorganizim i funksionimit të KLD-së bazuar në standartet ndërkombëtare dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare. Për sa më sipër Res Publica mendon që rekomandimet e mëposhtme duhet të përfshihen në këtë reformë:
- Nisma për procedimin disiplinor të mos i takojë ekskluzivisht Ministrit të Drejtësisë
Sipas ligjit “Për funksionimin dhe organizimin e KLD”, Ministri i Drejtësisë është organi që ka kompetencën ekskluzive për të nisur procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve. Centralizimi i kësaj të drejte vetëm te Ministri i Drejtësisë është kritikuar nga organizmat ndërkombëtare. Res Publica rekomandon që e drejta për të iniciuar procedimin disiplinor të mos i takojë vetëm Ministrit të Drejtësisë, por këtë të drejtë ta kenë edhe kryetarët e gjykatave, të cilët janë më afër punës së gjyqtarëve dhe e kanë më të lehtë të konstatojnë shkelje të ligjit, zvarritje të proceseve gjyqësore, mos respektimi i afateve për dorëzimin e vendimeve në sekretari etj, si dhe çdo anëtar i KLD-së, me kusht që të mos marrin pjesë në votim nëse është nismëtar i procedimit disiplinor.
- Në rast tërheqjeje nga autoriteti që inicion procedimin disiplinor, KLD të mos pushojë procedimin, por të marrë vendim për thelbin e çështjes
Gjatë monitorimit të kryer nga Res Publica është konstatuar që Ministri i Drejtësisë në një rast ka tërhequr kërkesën për procedim, ndonëse në veprimtarinë e gjyqtarit ishin gjetur shkelje të rënda, për të cilat Ministri kishte propozuar masën disiplinore “shkarkim nga detyra”. Kjo përbën një problem pasi për shkak të ekskluzivitetit të Ministrit të Drejtësisë për të disponuar mbi kërkesën për procedim, gjytari nuk ndëshkohet për shkeljet që ka kryer. Rekomandojmë që në momentin që vërtetohet se është gjetur shkelje në veprimtarinë e gjyqtarit dhe është nisur një procedim disiplinor ndaj tij, KLD duhet ta shqyrtojë kërkesën dhe të disponojë me vendim, pavarsisht nëse kjo kërkesë tërhiqet nga Ministri i Drejtësisë, pasi ekziston një interes publik më i lartë për të garantuar të drejtat e palëve në procesin gjyqësor.
- Moszbatimi i vendimeve unifikuese të Gjykatës së Lartë të mos ndëshkohet detyrimisht me shkarkim nga detyra
Një nga shkeljet e parashikuara në ligj, për të cilën merret masa disiplinore “Shkarkim nga detyra”, është moszbatimi i Vendimeve Unifikuese të Gjykatës së Lartë, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga gjyqtarët. Parashikimi ligjor aktual i jep vendimeve unifikuese fuqinë e ligjit, ndërkohë që sistemi aktual nuk e njeh fuqinë e precedentit gjyqësor. Rekomandojmë që në këtë pikë ligji të rishikohet, pasi gjyqtarëve duhet t’u jepet mundësia të rishikojnë praktikën gjyqësore kur ajo është e gabuar dhe ata janë në gjendje të argumentojnë ndryshimin e saj, siç është rasti kur ata mbështesin arsyetimin në një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Një shembull tipik është Vendimi Unifikues nr. 31 i vitit 2003 i cili është mbështetur në çështjen Pellegrin kundër Francës. Më pas, në vitin 2007, vetë Gjykata Evropiane e ndryshoi qendrimin në çështjen Eskelinen kundër Finlandës, por vendimi unifikues i lartpërmendur vijon të zbatohet nga gjykatat shqiptare. Në rast se Gjykata e Lartë vendos të pranojë ndryshimin e praktikës gjyqësore, atëherë gjyqtari duhet të shkarkohet nga përgjegjësia.
- Të rishikohet masa disiplinore “dërgim në një gjykatë tjetër për 1-2 vjet”
Kjo masë është ideuar për të ndëshkuar një gjyqtar që bën shkelje, duke e dërguar atë në gjykatën e një rrethi tjetër të ndryshëm nga ai ku gjyqtari ka vendbanimin. Kjo masë vërtet është ndëshkim për gjyqtarin por nga ana tjetër kjo masë penalizon edhe qytetarët e rrethit ku gjyqtari shkon të ushtrojë veprimtarinë e tij. Nëse një gjyqtar merr një masë të tillë për shkelje në detyrë, do të thotë që parimisht rrethi gjyqësor pritës detyrohet të zgjerojë rradhët e gjyqtarëve të tij me gjyqtarin problematik. Një masë e tillë është kritikuar parimisht edhe nga kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Znj. Manjola Bejleri, për të njëjtën arsye të përmendur më sipër.
- Afati për dërgimin e gjyqtarit për procedim disiplinor duhet të shkurtohet nga 1 vit në (për shembull) 30 ditë pune
Sipas legjislacionit aktual, Ministria e Drejtësisë e dërgon çështjen për procedim disiplinor të gjyqtarit brenda 1 viti nga momenti që është konstatuar shkelja. Ky afat është shumë i gjatë, duke lënë mundësi për abuzime. Gjyqtari mbahet peng i Ministrit të Drejtësisë për një kohë shumë të gjatë dhe kjo pengmarrje mund të ndikojë cilësinë e vendimeve që gjyqtari merr gjatë një viti. Mendojmë që ky afat mund të shkurtohet në 30 ditë pune, si një afat i arsyeshëm dhe praktik.
- Faqe 15 – Inspektoriati i KLD-së dhe inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë të bashkohen në një strukture të vetme.
Pavarësisht se midis dy Inspektoriateve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë është lidhur një Memorandum Bashkpunimi, shpesh herë është konstatuar një mbivendosje të kompetencave. Bazuar edhe nëraportet e ndërkombëtarëve mendojmë që dy inspektoriatet të shkrihen në një të vetëm. Në faqen 15 të Strategjisë parashikohet ngritja e një inspektoriati të pavarur. Mendojmë që ky inspektoriat të vazhdojë të jetë nën varësinë e KLD-së, pasi do ishte i pamundur kontrolli i inspektoriatit në rastet kur nuk dëshiron të kryejë një inspektim, të zhvillojë hetimet për shkeljet disiplinore të gjyqtarit etj.
- Faqe 15 – Nuk rekomandojmë krijimin e një Tribunali Disiplinor
Tribunali Disiplinor, i ideuar si organ ad hoc për shqyrtimin e ankimeve ndaj vendimeve disiplinore të KLD-së, duket një strukturë e tepërt, e cila konkuron gjykatën. Cdo shtetas, përfshirë këtu edhe gjyqtarët, kanë të drejtë të adresojnë çështjen e tyre në gjykatë, e cila jep vendim ne emër të Republikës. Gjykata ka funksionin e dhënies së drejtësisë duke respektuar parimet procedurale. Nuk ka asnjë arsye pse gjykimet e këtij karakteri të veçantë të zhvillohen nga një tribunal, i cili përbëhet nga gjyqtarë aktiv dhe disa të tjerë jogjyqtarë, të cilët në fund të fundit nuk kanë kapacitetin e duhur për të marrë vendime në përputhje me standardet. Ky lloj gjykimi krijon përshtypjen e shmangies së juridiksionit gjyqësor, duke e kanalizuar ankimin në një juridiksion administrativ quasi gjyqësor. Shmangia e juridiksionit gjyqësor krijon pasoja negative në procesin e rregullt ligjor.
- Faqe 15 – Nuk rekomandojmë një sistem gradash për gjyqyarët, por me vend mund të ishte një sistem pikësh
Zbatimi i një sistemi gradash nga njëra anë do të krijojë një sistem renditjeje të gjyqtarëve për t’u marrë më pas para sysh në karrierën e tyre, por nga ana tjetër, nëse në një situtatë hipotetike kur në të njëjtën gjykatë do të gjykojnë gjyqtarë të gradave të ndryshme, kjo do të krijojë pabarazi të trajtimit të palëve. Më i mprehtë mund të bëhet problemi nëse palët ankohen në një gjykatë më të lartë kundër vendimeve të trupave gjyqësore, ku kanë bërë pjesë gjyqtarë me grada të ndryshme. Në këtë rast palët do të tentojnë të japin peshë më shumë opinionit të gjyqtarit me më shumë grada, duke krijuar efekte negative edhe në perceptimin e publikut.
Në vend të sistemit të gradave mund të funksionojë një sistem me pikë, siç është aktualisht, me të vetmin dallim që kriteret të rishikohen, duke i dhënë më shumë peshë kritereve objektive të aftësisë.
- Faqe 16 – Duhet qartësuar përjashtimi nga tarifat gjyqësore për shkak të pamundësisë ekonomike, si dhe tarifat të jetë të arsyeshme dhe në raport të zhdrejtë përqindjeje me rritjen e vlerës së padisë
Në Analizën për Sistemin e Drejtësisë në Shqipëri është vënë në dukje se tarifat gjyqësore janë të larta dhe nuk parashikohen mundësi për përjashtim për shkak të gjendjes ekonomike. Gjithashtu në Strategji është përfshirë adresimi i këtij problemi.
Nga praktika e qendrës Res Publica është vënë re se në veçanti tarifat për paditë e kërkimit të shpërblimit të dëmit nuk janë në përputhje me gjendjen e diktuar. Një padi e veçantë në llojin e saj është ngritur në Gjykatën Administrative të Apelit nga familjarët e viktimave të Gërdecit. Gjykata e rrëzoi padinë për shfuqizimin e pjesshëm të udhëzimit të përbashkët të ministrave të drejtësisë dhe atij të financave. Vendimi u mor nga 3 gjyqtarë kundër 2 të tjerëve. Debati tashmë është zhvendosur në Gjykatën e Lartë pas rekursit të ushtruar nga paditësit. Në proces u paraqitën edhe Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, por gjykata e refuzoi mendimin e ekspertëve të paraqitur në këtë dokument. Në këto kushte është tepër e vështirë që të ketë një qasje të përshtatshme nga gjykatat një çështje kaq delikate si tarifat gjyqësore.
Gjatë kohërave, gjyqtarë të ndryshëm janë gjendur përballë presionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor dhe logjikisht ky presion ka ndikuar në mënyrën se si gjyqtarët kanë vepruar me mbledhjen e kësaj takse, qoftë edhe në dëm të një procesi të rregullt ligjor.
Krahas mundësisë procedurale që kanë gjyqtarët, parashikime të ngjashme përmban edhe ligji nr. 10039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”, duke i dhënë mundësinë Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike që të përjashtojë një aplikant nga parapagimi i tarifës së padisë. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike nuk ka pranuar asnjëherë ndonjë kërkesë të tillë dhe në praktikë kërkesat janë adresuar në gjykatë, e cila është vendosur në pozicionin e vështirë ndërmjet zgjedhjes së zbatimit të ligjit të brendshëm që nuk përmban mundësinë e përjashtimin nga tarifat nga njëra anë, dhe zbatimit të parimeve ndërkombëtare që aksesin në gjykatë e vlerësojnë me rëndësi parësore, nga ana tjetër.
Madje, kjo çështje u adresua edhe në Gjykatën Kushtetuese duke kërkuar një interpretim të parimeve kushtetuese dhe Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykata Kushtetuese në Vendimin e saj nr. 7 dt. 27.02.2013 ka theksuar:
“…gjyqtari i zakonshëm nuk pengohet të hetojë dhe të përjashtojë paditësin nga pagesa e kësaj tarife, në rastet kur ndodhet përpara pamundësisë financiare të tij për të bërë këtë pagesë. Gjyqtari i zakonshëm ka hapësirë për të vlerësuar plotësimin e këtij kriteri procedural për ngritjen e padisë dhe për të bërë përjashtimet rast pas rasti, në mënyrë që të mos pengojë realizimin e të drejtës së aksesit në gjykatë.”
Mirëpo edhe zbatimi i këtij obiter dictum në praktikën gjyqësore nuk ka funksionuar, duke i dhënë të drejtë shqetësimit të ngritur në Mendimin e Pakicës në lidhje me Vendimin nr. 27, datë 27.02.2013 të Gjykatës Kushtetuese, ku pakica shprehet se në pratikë ky do të mbetet një problem i pazgjidhur, gjykatat e zakonshme do të zbatojnë standarde të ndryshme për shkak të ndryshimeve, etj.
Për këto arsye, nevojitet që tarifat gjyqësore të jenë të arsyeshme, të balancuara, në raport të zhdrejtë përqindjeje me rritjen e vlerës së padisë, dhe mbi të gjitha duhet të sigurohet një listë kriteresh që të bëjnë të mundur përjashtimin nga ky detyrim për të gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të paguajnë vlerën pa cenuar ndjeshëm cilësinë e jetës së tyre, ose që janë në pamundësi për të paguar, duke rrezikuar humbjen e të drejtës së aksesit në gjykatë, si një formë e cenimit të procesit të rregullt ligjor, njohur nga praktika tashmë e konsoliduar e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
- Faqe 16 – Procesverbalet e seancave gjyqësore duhet të vihen në dispozicion të palëve menjëherë në përfundim të seancës gjyqësore ose përgatitore
Jemi të mendimit që të përbëjë një detyrim thelbësor të gjykatës që procesverbalet e seancave gjyqësore t’i jepen për miratim palëve në proces dhe përfaqësuesve të tyre menjëherë në fund të seancës gjyqsore. Kështu neni 19 pika 1 Udhëzimi nr. 282 datë15.06.2012 “Për mbajtjen e procesverbalit të seancës gjyqësore me mjete audio” i Ministrit të Drejtësisë të jetë detyrues për gjykatën që tua ofrojë procesverbalin palëve ndërgjyqëse. Vetëm nëse vetë palët ose përfaqësuesi ligjor i tyre janë dakort paraprakisht me procesverbalin atëherë kryesuesi i seancës gjyqësore fikson këtë në procesverbal duke shpjeguar që palët u njohën me procesverbalin ose janë dakort me cfarë është fiksuar në të.
Ky rekomandim vjen pas eksperiencave të panumërta negative në gjykatat shqiptare, kur askush nuk di se çfarë u shënua në procesverbal, dhe se ky i fundit mund të ndryshojë pa dijeninë e palëve, për sa kohë nënshkruhet nga gjyqtari dhe sekretari. Jemi të mendimit që nënshkrimi të kryhet përsëri në të njëjtën formë, por pasi palët të disponojnë kopje të tij do të jetë e pamundur të ndryshohet, harrohet, apo shtohet diçka pas përfundimit të seancës gjyqësore.
- Faqe 16 – Vendimi i gjykatës duhet të jepet i arsyetuar në momentin që shpallet
Deri më sot është bërë praktikë që vendimet e gjykatës shpallen dhe më pas arsyetohen. Arsyetimi në vetvete mund të zgjasë edhe përtej afatit të ankimit të palëve. Në praktikë ndodh shumë shpesh që palët zënë afatin e ankimit përmes një ankimi formal dhe më pas e plotësojnë atë me një shtojcë të mëvonshme. Në terma praktikë, asgjë nuk e pengon gjykatën që të shpallë një vendim të arsyetuar. Gjykata ka të drejtë të marrë të gjithë kohën e mjaftueshme për të arsyetuar vendimin përpara se ta shpallë atë, duke i dorëzuar një kopje të gjithë palëve të pranishme në seancë.
Nga ana tjetër, nëse ky aspekt nuk paraqet problem praktik, është shumë e domosdoshme që nga e drejtë e gjyqtarit, shpallja e vendimit të arsyetuar të shndërrohet në detyrim. Kështu do të mund të sigurohet afati i mjaftueshëm efektiv i ankimit, do të shmangen vonesat e kalimit të dosjeve nga gjykatat më të ulëta në gjykatat më të larta, si dhe do të shmanget abuzimi i disa gjyqtarëve që marrin javë, e madje muaj, për të zbardhur vendimin e shpallur, duke cenuar interesat e të gjithë palëve në gjykim.
Një aspekt i rëndësishëm është edhe heqja e mundësisë praktikë që gjyqtarët të “kolaudojnë vendimin rrugës”, duke e shpallur një herë dispozitivin dhe duke vrarë mendjen për javë të tëra për arsyetimin.
- Faqe 16 – Veprimet përgatitore në procesin civil mund të kryhet pa zhvilluar seancë, por me anën e komunikimit shkresor
Neni 179 i Kodit të Procedurës Civile parashikon se nëse paditësi ose asnjë nga palët, pa ndonjë shkak të arsyeshëm, nuk paraqiten, si në veprimet përgatitore ashtu edhe në seancën gjyqësore dhe rezulton se kanë dijeni rregullisht, gjykata apo gjyqtari i vetëm vendos pushimin e gjykimit. Në praktikë ka një numër shumë të madh rastesh kur procesi civil është pushuar bazuar në nenin 179 të sipërpërmendur, ndërkohë që ka një numër shumë të madh ankimesh nga palët që kanë pasur vullnetin për të vazhduar çështjen.
Jemi të mendimit që seanca përgatitore të mos konsiderohet seancë gjyqësore në kuptimin formal të gjyqit dhe si e tillë të mos zhvillohet nga gjyqtari në një seancë solemne. Në thelb kjo seancë paraprake është verifikim dokumentash, adresash, identitetesh dhe rikonfirmim i kërkesave të parashtruara në kërkesë-padi. Ky proces administrues është lehtësues për fillimin e procesit gjyqësor. Në këtë moment, me natyrë më së shumti administrative, nuk kemi të shprehur parimin e kontradiktoriatetit, i cili eshtë thelbi i procesit gjyqësor dhe bën të domomosdoshëm administrimin e tij nga një gjyqtar në seancë gjyqësore solemne. Rrjedhimisht gjatë procedurës administrative për të parë nësë forma është respketuar, mund të jenë ndihmësit ligjorë të gjyqtarit (court clerks) ata që përgatisin këtë pjesë administrative dhe i garantojnë gjyqtarit fillimim e një procesi gjyqësor të plotësuar nga ana formale. Një procedurë e tillë nuk është e panjohur në gjykatat e huaja, madje Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut ndjek këtë rregull.
Kjo procedurë do të lehtësontë punën e gjyqtarit dhe nuk do të linte vend për zvarritje dhe humbje kohë për shkak të solemnitetit të domosdoshëm në çdo veprim që gjyqtari kryen në prani të palëve. Palët ndërgjyqëse duke u paraqitur pranë ndihmësit ligjor të gjykatës do të kishin asistencën e duhur për të plotësuar atë formë të nevojshme që do t’u duhet në momentin e fillimit të procesit. Nga ana tjetër nuk do të rrezikonin që për një parregullsi administrative të humbin ditë të tëra apo të rrezikojnë gjithashtu pushimin e gjykimit.
Gjykata duhet të ketë detyrimin dhe ndjeshmërinë që një proces i filluar nga palët me një investim moral, kohor dhe financiar, të rrezikojë të pushohet vetëm për një mosparaqitje në seancë, qoftë edhe për arsye të dobëta. Kodi Procedurës Civile duhet rregulluar në këtë aspekt për të garantuar maksimizimin e ushtrimit të të drejtave të qytetarëve për të pasur një gjykim të drejtë dhe ezaurues. Në kushtet e sotme qyetetarëve u duhet garantuar plotesisht e drejta e vijimit të procesit edhe në rast të një humbje pjesmarrjeje në seancë gjyqësore ku për arësye objektive mund të mos të arrijnë të marrin pjesë. Pushimi i gjykimit vetëm për shkak të një mungesë në seancë gjyqësore nuk është domosdoshmërisht shkak të konkludohet se palët kanë humbur interesin dhe si rrjedhimn gjykimi i filluar dhe që ka investuar kohën, paratë e ndërgjyqësave, të pushojë. Gjykata duhet të jetë në shërbim të qytetarëve si pushtet dhe si strukturë që merr tarifa ligjore të tilla si përqindje mbi objektin e padisë në kryerjen e proceseve gjyqësore. Në këtë kontekst nevojitet më shumë hapsirë tolerancë dhe garantim ndaj qytetarit.
Nëse veprimet përgatitore do të ezaurohen në rrugë shkresore dhe komunikime me postë, atëheerë gjykatës i mbetet të zhvillojë vetëm një seancë gjyqësore të pandërprerë për të konkluduar gjykimin. Veprimet e tjera, siç është dorëzimi i konkluzioneve përfundimtare me shkrim, kërkesat për përjashtim gjyqtarësh, kërkesa për riçelje të hetimit gjyqësor, etj, mund të ezaurohen përsëri përmes dorëzimit të kërkesave me shkrim, të cilat nuk nevojitet të investohet gjykata në një seancë gjyqësore solemne. Zhvillimi i seancës solemne vetëm për një seancë, ndihmon palët, gjykatën dhe vjen për shtat me infrastrukturën e gjykatave, të cilat disponojnë numër të vogël sallash të pajisura me sistem audio. Nëse seancat do të reduktohen ndjeshëm, atëherë do të ketë edhe një rritje të pjesëmarrjes së publikut në seancat gjyqësore solemne, pasi do të dihet paraprakisht që debati gjyqësor do të zhvillohet i plotë dhe i larmishëm.
- Faqe 16 – Në proceset civilë dhe administrativë gjykata duhet të investohet për të dhënë një zgjidhje sa më të drejtë të çështjes në kompleks dhe të mos krijohen pengesa teknike palëve
Në respekt të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, dhe për ekonomi gjyqësore vlerësojmë se duhet rishikuar procedura lidhur me kthimin për rigjykim në shkallë të parë të çështjeve që gjykohen në gjykatën e Apelit, kur konstatohen shkelje procedurale. Gjykata e Apelit ka të gjitha mjetet që të kryejë vetë një hetim të mëtejshëm dhe të korrigjojë shkeljet eventuale të karakterit procedural. E njëjta gjë vlen në parim edhe për Gjykatën e Lartë. Kjo vërejtje është ngritur edhe nga tre gjyqtarë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në një Forumin e Dytë Rajonal për Sundimin e Ligjit në Evropën Juglindore, të mbajtur në Beograd, Serbi, më 6-7 Mars 2014.
Një aspekt i rëndësishëm është dhënia e mundësisë, e madje detyrimit, gjykatave që të zgjidhin çështjen në kompleksitetin e saj. Shpesh gjykatat rrëzojnë paditë sepse ato nuk janë ngritur në mënyrën e duhur, megjithëse gjykata i ka të gjitha mundësitë që të marrë në analizë çështjen në kompleksitetin e saj. Duke u bërë menaxhuese e çështjes, gjykata do të shmangë ecejaket e shumta të çështjeve nga një shkallë në tjetrën.
Në praktikë vihet re shpesh se gjykatat më të larta kthejnë për rigjykim çëshje të cilat pjesërisht janë gjykuar drejt nga gjykatat e ulëta. Nëse do të bënin një ndarje praktike të procesit, mund të dallojmë një fazë paraprake, një fazë të administrimit të provave dhe pretendimeve, një fazë të analizës juridike për të konkluduar nëse ka shkelje të ligjit ose jo siç pretendon paditësi, dhe faza e fundit që është ajo e zgjidhjes që i jep gjykata çështjes. Megjithëse ndodh që shpesh vetëm zgjidhja të jetë e gabuar, çështja kthehet për rigjykim nga Gjykata e Lartë ose e Apelit, ndërkohë që këto gjykata i kanë të gjitha mundësitë që të japin një zgjidhje tjetër, pa prekur faktet, analizën dhe konkluzionet.
- Faqe 16 – Publikimi në kohë të arsyeshme i vendimeve gjyqësore dhe procesverbaleve, etj.
Aktualisht publikimi i vendimeve të gjykata kryhet vetëm në raste sporadike, siç është Gjykata e Tiranës, Gjykata e Apelit Tiranë, Gjykata e Lartë dhë Gjykata Kushtetueses. Por një mori gjykatash të shkallës së parë, civile, penale e administrative, gjykata të apelit të rretheve të ndryshme, nuk publikojnë asgjë nga vendimet e tyre.
Përveç detyrimit të të gjitha gjykatave pa përjashtim, për të publikuar vendimet, duhet të merren masa legjislative që të parashikohet detyrimi edhe për publikimin e procesverbaleve të seancave (përveç atyre që janë zhvilluar me dyer të mbyllura).
- Faqe 17 – Rekomandime lidhur me suprimimin e Konferencës Gjyqësore dhe krijimin e një komisioni ad hoc
Nga praktika e deritanishme, bazuar edhe në raportet e ndërkombëtarëve, Konferenca Gjyqësore nuk ka qenë efektive në përmbushjen e detyrave dhe kompetencave të saj. Një nga detyrat e Konferncës Gjyqësore është përzgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (për pjesën që emërohen nga gjyqësori). Nëse Konferenca Gjyqësor do të suprimohet rekomandojmë që komisioni i posaçëm ad hoc të përbëhet nga gjyqtarë në të njëjtin format si Konferenca Gjyqësor, por me kompetencë vetëm emërimin e anëtarëve të KLD-së që vijnë nga gjyqësori. Mënyra e funksionimit të këtij komisioni, përbërja, mënyra e marrjes së vendimeve, mënyra e përzgjedhjes së anëtarëve, duhet të parashikohet në një kapitull të posaçëm në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”.
- Faqe 19 – Përfshirja në procedurë civile edhe e konceptit “Class action” ose “Collective redress”
Aksioni i një grupi apo klase i referohet bashkimit të kërkesave të ndryshme (të cilat e kanë origjinën në të njëjtin shkak ligjor) dhe paraqitjen e tyre para gjykatave nga një perëson i autorizuar që duhet të plotësojë disa kritere (të tilla si p.sh. përvoja dhe ekspertiza në një fushë të veçantë; nëse statuti parashikon ndërmarrjen e veprimeve ligjore në mbështetje të objektivave etj). Bashkimi i rasteve të ngjashme në një gjykim ka një numër përfitimesh për një rend juridik; ai eliminon rrezikun e vendimeve kontradiktore (meqenëse rastet do të dëgjohen nga gjykatësit e njëjtë), ndërsa krijon mundësinë për një gjykim më të shpejtë të kërkesave. Në të njëjtën kohë, ai paraqet përparësi të shumta për paditësit, si psh u mundësohet atyre që të bashkojnë burimet e tyre dhe të përfitojnë nga ulja e kostove për ekspertë, taksa gjyqësore, si dhe shpenzimet ligjore respektive.
Në draftin e tij, Komisioni Evropian, Rekomandimi C (2013) 401 mbi parimet e përbashkëta për mekanizmat kompensues dhe injuctive të dëmshpërblimit kolektiv në Shtetet Anëtare në lidhje me shkeljet e të drejtave sipas ligjit të Bashkimit[3], Komisioni përdor termin “collective redress” (dëmshpërblim kolektiv) në vend të veprimit të grupit apo klasës (class acion), pjesërisht sepse modeli i kompensimit kolektiv që ai mbron ka dallime të rëndësishme me class action amerikan.[4] Mekanizmat kombëtarë të dëmshpërblimit kolektiv duhet të kenë dy funksione, atë të parandalimit dhe kompensimit: sipas Komisionit, shtetet duhet të krijojnë një mekanizëm të dyfishtë:
“(i) mekanizmin ligjor që siguron mundësinë për të kërkuar ndërprerjen e sjelljes së paligjshme kolektivisht nga dy ose më shumë persona fizikë apo juridikë ose nga një njësi ekonomike që kanë të drejtën për të vepruar si përfaqësues (rivendosjen e së drejtës së dëmit kolektiv); (ii) mekanizmin ligjor që siguron mundësinë për të kërkuar kompensim kolektivisht nga dy ose më shumë personave fizikë ose juridikë që pretendojnë se kanë qenë të dëmtuar në një situatë në një masë dëmi ose nga një njësi ekonomike që ka të drejtë për të vepruar si përfaqësues ( zhdëmtim kompensues kolektiv)”
Mekanizmat kolektivë të dëmshpërblimit (sidomos ato parandaluese) janë veçanërisht të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe konsumatorit, ku numri i paditësve mund të jetë shumë i lartë. Për më tepër, rastet e tilla paraqesin pengesa të mëdha procedurale për paditësit, si raportet e shumta dhe të kushtueshme të ekspertëve dhe vështirësutë në thirrjen e dëshmitarëve. Duhet theksuar në këtë drejtim se koncepti i veprimit kolektiv nuk është krejtësisht i huaj për rendin e brendshëm juridik. Kështu, neni 53 i ligjit 9902/2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” njeh të drejtën e konsumatorëve për të formuar shoqata me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre, duke përfshirë veprimet ligjore.
Res Publica vlerëson se adoptimi i Rekomandimit ose të paktën prezantimi i disa aspekteve kryesore të tij në sistemin ligjor shqiptar do të krijonte një mjet të rëndësishëm ndër ato ekzistuese në dorë të qytetarit shqiptar, për një mbrojtje dhe promovim më të mirë të të drejtave.
- Faqe 19 – Përfshirja e saktë e procedurës së marrjes së provave që lidhen me suportet e teknologjisë së lartë
Në zbatimin e ligjeve në përgjithëse njihet parimi “mutatis mutandis” për njohjen në heshtje të përdorimit të teknologjive moderne. Por në rastin e procedurave strikte gjyqësore është tepër e vështirë që gjykata të gjejë hapësirën e duhur ligjore për të përfshirë teknologjinë në gjykim.
Bota e sotme është përfshirë së tepërmi në përdorimin e teknologjisë së lartë të informacionit, ku gjejnë përdorim komunikimet me email, mesazherë të ndryshëm, video, audio, videokonferenca, etj, të cilat janë pjesë e jetës së përditshme dhe biznesit. Është e pamundur që të trajtohet një çështje gjyqësore pa marrë parasysh provat që vijnë në forma nga më të ndryshme dhe nevojën për të kqyrur suporte teknologjikë të avancuar.
Tashmë është domosdoshëmri që me rishikimin e kodeve të procedurës që janë hartuar në një kohë tjetër, të përfshihen edhe inkuadrimi i teknologjisë së lartë, për të bërë një hetim të plotë e të gjithanshëm, brenda standardeve të një procesi të rregullt ligjor.
- Faqe 21 – Gjykata nuk mund të bëhet dot pjesë e strukturës antikorrupsion
Jemi të mendimit që gjykata si pushtet i pavarur të mos konceptohet si pjesë përbërëse e strukturës së specilaizuar antikorrupsion që mendohët të ngrihet në nivel kombëtar me përbërje të policisë dhe prokurorisë. Kjo do të ishte centralizim i pushteteve dhe mohim i parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke bërë gjykatën pjesë të ekzekutivit dhe pjesë të struktuarve operativë të hetimit.
Në bazë të nenit 135 të Kushtetutës së Shqipërisë pushteti gjyqësor ushtrohet nga Gjykatat. Detyra e gjykatës është dhënia e drejtësisë dhe garantimi i të drejtave për një proces të rregullt ligjor. Ndërkohë që Prokuroria në baze të nenit 148 të Kushtetutës ushtron ndjekjen penale, si dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit. Kështu Prokuroria dhe Policia janë hallka të zinxhirit ligjor të ndekjes penale dhe kanë detyrimin e të provuarit në gjyq kryerjen e një vepre penale dhe fajësinë e subjektit të vepres penale përtej çdo dyshimi të arsyeshëm.
Gjykata shprehet me vendim ndaj akuzave të prokurorisë duke dhënë fajësi dhe dënim ose pafajësi sipas rastit. Çdo përzjerje e këtyre kompetencave kushtetuese që ligji parashikon për prokurorine dhe gjykatën do të silltë në humbje të funksionimit të shtetit të së drejtës.
- Faqe 21 – Regjitstri elektronik i ndjekjeve penale që mbahet nga Prokuroria të bëhet i aksesueshëm për publikun
Mendojmë se mbajtja e një regjistri elektronik për ndjekjet penale nga ana e prokurorisë është një ndihmë e madhe logjistike. Por, mendojmë gjithashtu se ky regjistër duhet të jetë i aksesushëm nga publiku. Hetimet vërtet janë sekrete (deri në një pikë të caktuar), por fakti që ndaj një personi ka nisur ose jo ndjekja penale, besojmë se është me interes për publikun, për gazetarët investigativë, për kallzuesit e veprave penale, si dhe për vetë personat që kanë mësuar se ndaj tyre mund të jetë bërë një kallëzim.
Nga ana teknike, ky regjistër mund të qendrojë i hapur online dhe të përditësohet rregullisht.
- Faqe 21 – Të përshkruhet qartë detyrimi i Prokurorisë për njoftimin e të dëmtuarit, si dhe të merren masa disiplinore ndaj prokurorëve që nuk paraqiten në seancat gjyqësore duke e bërë të pamundur zhvillimin e procesit gjyqësor
Prokurori është organi që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjykatë. Prokurori ka të drejtë të marrë vendimin e mos fillimit, pushimit ose dërgimit në gjykatë të çështjes. Prokurorët duhet të kenë detyrimin që të dëmtuarve nga vepra penale t’u jepet informacioni lidhur me procedurat ligjore dhe zhvillimin e hetimeve. Prokurori duhet të njoftojë të pandehurin, të dëmtuarin, familjarët e viktimave për vendimin e pushimit ose mos fillimit të çështjes. Rekomandojmë që të parashikohen masa disiplinore në rastet kur prokurori nuk përmbush këto detyrime, si dhe nuk paraqitet në seancat gjyqësore pa shkaqe të arsyeshme.
- Faqe 24 – Roli i të dëmtuarit nga vepra penale duhet të fuqizohet
Në Strategjinë e Reformës së Drejtësisë, ky aspekt është trajtuar në Kreun III, Drejtësia Penale. Në përgjithësi qasja e Komisionit duket që sjell risi në koncept, pasi të drejtat e viktimës janë tërësisht të patrajtuara nga legjislacioni aktual, por qasja e Komisionit është minimaliste dhe jo në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, standardet e OKB-së, etj.
Standardet e Kombeve të Bashkuara
Në dritën e parimeve ndërkombëtare të OKB-së, të miratuara në kongresin e 8-të përparandalimin e krimeve dhe trajtimin e viktimës, më 07.09.1990 në Havanë, Kubë, po ju sjellim interpretimin tonë për detyrimin që ka organi i akuzës nën frymën e Kartës:
- Informimi i viktimave për rolin e tyre dhe qëllimi, afatet dhe ecuria e procesit të hetimit dhe dispoziatat relevante për çështjen, sidomos kur bëhet fjalë për krime të rënda dhe aq më tepër kur viktimat kanë kërkuar informacion.[5]
- Në detyrimet e autoritetit kompetent përfshihet edhe sigurimi që avokatëte viktimave të kenë aksesin e duhur në informacionin e nevojshëm. Dosja ose dokumenta të tjerë që janë në dispozicion të një organi duhet të vihen në dispozicion të avokatëve për të siguruar ndihmë efektive për klientët e tyre. Ky lloj aksesi duhet të sigurohet sa më shpejt që të jetë e mundur.[6]
- Familjarët e personave që kanë humbur jetën ose avokatët e tyre duhet të informohen për çdo veprim procedural dhe duhet të kenë aksesin e duhur në dokumenta, në çdo seancë dëgjimor edhe në çdo informacion tjetër të vlefshëm për fazën e hetimeve, si dhe duhet të jenë të autorizuar të sjellin prova nga ana e tyre.[7]
- Personat e dëmtuar nga përdorimi i forcës ose armëve të zjarrit, ose avokatët e tyre duhet të kenë akses jo vetëm në dosje por edhe në gjykim. Në rastet kur personat kanë vdekur, kjo vlenn për trashëgitarët.[8]
Këto parime duket qartë se konkludojnë tek e njëjta pikë, ajo e sigurimit nga organi procedues të një pozicioni efektiv në mbrojtje të viktimës dhe përfaqësuesve të tyre.
Parimet që rrjedhin nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
Në rastin McCann dhe të Tjerë kundër Mbretërisë së Bashkuar,[9] kërkuesit kishin parashtruar se neni 2 impononte një detyrim pozitiv për shtetin që të siguronte “një procedurë efektive ex post facto që përcakton faktet rreth vrasjeve të kryera nga agjentët e shtetit nëpërmjet një procesi të pavarur gjyqësor për të cilët të afërmit duhet të kenë akses të plotë”. Në lidhje me këtë, ata iu referuan Parimeve Temelore të Kombeve të Bashkuara mbi Përdorimin e Forcës dhe Armëve të Zjarrit nga Punonjësit e Rendit, dhe Parimeve të Kombeve të Bashkuara mbi Parandalimin Efektiv dhe Hetimine Ekzekutimeve Ekstra ligjore, Arbitrare dhe atyre në Masë. Udhëzimet Amicus Curiae, të paraqitura nga British-Irish Human Rights Ëatch dhe nga Amnesty International, si dhe nga organizata të tjera joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i kanë tërhequr gjithashtu vëmendjen Gjykatës për këto standarde të Kombeve të Bashkuara. Gjykata iu referua haptazi këtyre standardeve ndërkombëtare dhe në një pjesë thelbësore të vendimit, pranoi propozimin e përgjithshëm:
“[Gjykata] kufizohet duke vërejtur, si Komisioni, se një ndalim i përgjithshëm ligjor i vrasjeve arbitrare nga agjentët e shtetit, do të ishte joefektiv në praktikë, nëse nuk do të ekzistonte asnjë procedurë për rishikimin e ligjshmërisë së përdorimit të forcës vdekjeprurëse nga autoritetet shtetërore. Detyrimi për të mbrojtur të drejtën e jetës bazuar në këtë dispozitë, së bashku me detyrimin e përgjithshëm të shtetit sipas Nenit 1 të Konventës për t’i “siguruar çdokujt brenda juridiksionit të tyre të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë” kërkon nga ky përkufzim se duhet të ekzistojë një hetim zyrtar efektiv, kur individët janë vrarë si rezultat i përdorimit të forcës, ndërmjet të tjerash nga agjentët e shtetit.”[10]
Në McCann, Gjykata e kuptoi se nuk ishte e domosdoshme që të vendoste cilën formë duhet të ndiqte ky hetim dhe nën cilat kushte duhej të organizohej, përshkak se sido qëtë kishin qenë kushtet specifke, ato ishin përmbushur në procedurat e ndjekjes penale. Megjithatë, Gjykata vërejti një numër aspektesh të procedurës së ndjekjes penale që kontribuan qartësisht në gjetjen e përgjithshme të provave se ishte kryer një hetim zyrtar me efektivitet të mjafueshëm për të përmbushur kushtet e Nenit 2: (1) Ndjekja ligjore ishte bërë e hapur; (2) Kërkuesit (d.m.th.,të afërmit e të ndjerit) ishin përfaqësuar ligjërisht; (3) U dëgjuan në seanca një numër i madh dëshmitarësh (shtatë dhjetë e nëntë); dhe (4)Avokatë te kërkuesve kishin qenë në gjendje të shqyrtonin dëshmitarë kyç të cilët ishin vënë në dispozicion të të dyja palëve, duke përfshirë personelin ushtarak dhe policor që ishin pjesë e planifkimit dhe kryerjes së operacionit, dhe të parashtronin deklarata gjatë procedurave.[11]
Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut i qendroi të njëjtit parim edhe në çështjen Giuliani dhe Gaggio kundër Italisë (Dhoma e Madhe, kërkesa nr. 23458/02, vendim 24 Mars 2011), duke u shprehur:
“312. Në lidhje me këtë, Gjykata vëren se, është e vërtetë që sipas ligjit italian i dëmtuari nuk mund të marrë pjesë në proces si palë civile deri në seancën përgatitore, dhe se një seancë e tillë nuk ishte zhvilluar në rastin në fjalë. Megjithatë, në fazën e hetimit paraprak, palët e dëmtuara mund të ushtrojnë të drejtat dhe kompetencat të cilat ligji ua njeh shprehimisht. Këto përfshijnë të drejtën për t’i kërkuar prokurorit që ky i fundit t’i drejtohet GIP për marrjen e menjëhershme të provave (neni 394 i LPP) dhe të drejtën për të caktuar një përfaqësues ligjor. Përveç kësaj, palët e dëmtuara mund të paraqesin pretendime në çdo fazë të procedurës dhe, mund të kërkojnë, me përjashtim të procesit në Kasacion, pranimin e provave (neni 90 i LPP – shih Sottani, cituar më lart, ku këto konsiderata çuan Gjykatën në përfundimin se neni 6 § 1 i Konventës ishte i zbatueshëm në procedurën penale në të cilën kërkuesi merrte pjesë si palë e dëmtuar, por jo si palë civile).
313. Nuk është në diskutim në rastin konkret fakti që kërkuesit kishin pasur mundësi për të ushtruar këto të drejta. Në veçanti, ata kishin caktuar ekspertë sipas zgjedhjes së tyre, të cilët ishin udhëzuar për të përgatitur akt ekspertimet, të cilat ishin dorëzuar në prokurori dhe tek GIP (shih paragrafët 64-66 më lart), si dhe përfaqësuesit dhe ekspertët e tyre kishin marrë pjesë në setin e tretë të testeve balistike (shih paragrafin 57 më lart). Për më tepër, ata kishin qenë në gjendje të paraqisnin prapësime kundër kërkesës për të pushuar çështjen dhe të përcaktonin masat e tjera hetimore që ata dëshironin të kryheshin. Fakti që GIP i Gjenovës, duke ushtruar kompetencat e saj për të vlerësuar faktet dhe provat, refuzoi kërkesën e tyre (shih paragrafin 104 më sipër) nuk përbënte në vetvete shkelje të nenit 2 të Konventës, për me tepër vendimi i GIP lidhur me këto pika, sipas gjykimin të Gjykatës, nuk dukej të ishte në arbitrar.”
Duhet theksuar se, sic pranoi Gjykata Evropiane, këto parime aplikohen jo vetëm në çështje kundër zyrtarëve shtetërorë por edhe individëve privatë, veprimet e të cilëve përbëjnë vepër penale të tillë që të përfshihet brenda fushës së Neneve 2, 3 dhe 8 të Konventës.
Çështjet shqiptare para Gjykatës Evropiane në lidhje me pjesëmarrjen e viktimës në procesin penal – Qeveria shqiptare ka pranuar kuadrin e mangët ligjor vendas
Pavarësisht se ekziston një numër vendimesh të Gjykatës Evropiane për çështjet kundër Shqipërisë që lidhen me nenet 2 dhe 3 të Konventës, vetëm një prej tyre ngre çështje në lidhje me pjesëmarrjen e të afërmve të viktimësnë procesin penal.
Rasti i Ceka kundër Shqiprisë ku Gjykata e Strasburgut ka vënë re se nga arsyet e mosrealizimit të një procesi të drejtë gjyqësor, ishte fakti se familjarët e viktimës nuk u vunë në kushtet për të qënë pjesë e proçesit.(Gjyste Ceka against Albania, kerkesa 26872/0, vendimi 23 Tetor 2012).Në këtë çështje djali i aplikantes humbi jetën në qeli. Gjykatat vendase gjetën fajtor dy punonjës policie (të cilët ishin larguar më parë nga detyra) dhe akordoi dëmshpërblimin në masën 17.000 EUR.
Pavarësisht nga ky rezultat, Gjykata Europiane e pranoi për shqyrtim ankesën; një nga ankesat e aplikantit lidhej me mungesën e njoftimit në procedimin penal dhe pamundësinë që sjell mospjemarrjen në të. Gjykata Evropiane njohu se:
“[…] Hetimi i kryer për rrethanat e vdekjes së djalit të ankueses, nuk ishte në përputhje me nenet 2 dhe 3 të Konventës, dhe se kjo çështje nuk u adresua në procedimin në gjykatat vendase të lartpërmendura.”
Si një nga argumentet e ankueses në lidhje me mospjesëmarrjen e saj në procesin penale, më lart në mënyrë të qartë do të thotë se Qeveria e pranoi se dështimi për të siguruar pjesëmarrjen e viktimës është në kundërshtim me aspektet procedurale të nenit 2 dhe 3 të Konventës Evropiane. Në të vërtetë, sipas Gjykatës, “Ajo [Gjykata] nuk mund të theksojë mjaftueshëm për ekzistencën e elementëve të mjaftueshëm të shqyrtimit publik të hetimit, si dhe përfshirjen e të afërmit të viktimës në proces.”
Një qasje de minimis: Direktiva 2012/29/EU e datës 25 tetor 2012 vendos standardet minimale për të drejtat, mbështjetje dhe mbrojtjen e viktimave të krimit
Res Publica konsideron se përfshirja e kësaj direktive në rendin juridik shqiptar, siç është parashikuar në Analizën e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri, është pa dyshim një hap në drejtimin e duhur. Megjithatë, ne besojmë se në shumë aspekte kjo direktivë, siç është përmendur edhe në titullin e saj, parashtron një sërë parimesh minimale që nuk përputhen në thellësi me kërkesat që rrjedhin nga aspekti procedural i neneve 2, 3 dhe 8 të Konventës. Më specifikisht, direktiva i siguron viktimës vetëm një të drejtë të kufizuar për të marrë pjesë nëprocesin penal por nuki jep atij të drejtën të emërojë avokat për ta përfaqësuar, të kërkojë marrjen e provave me ekspertë dhe ta pyesë këtë të fundit, të pyesë dëshmitarë e kështu me radhë.
Kështu për shembull, Gjykata Evropiane është shprehur se thjesht dhënia e informacionit për ecurinë e një hetimi penal dhe vënia në dispozicion e vendimit për mosfillimin apo pushimin e ndjekjes penale nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur detyrimet e shtetit në bazë të aspekteve procedurale të nenit 2 dhe 3 të Konventës. Ne rastin Anusca kundër Moldavisë (nr. 24034/07), i cili bën fjalë për një vajzë që kreu vetvrasje dhe familjarët kërkuan akses në dosje, Gjykata Evropiane vuri re:
“Gjykata nuk e pranon argumentin e qeverisë në këtë pikë, pra që vetëm pasi ka mbaruar hetimi duke konkluduar se një krim është kryer, të afërmit njihen si pasardhës të viktimës.Ky këndvështrim, i cili e vendos vetëvrasjen jashtë fushës së veprimit të nenit 2 të Konvëntës, është në kundërshtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe duhet të hidhet poshtë. Vonesa të konsiderueshme në përfshirjen e të afërmit në procedurat hetimore nuk mund të pranohen […] Qeveria argumentoi se nuk ka pasur asnjë pengesë qëparandalon aplikanten nga njohja me dosjen e hetimit, dhe se ajo ishte informuar nga prokurori ushtarak për mbylljen e hetimit […] Gjykata përcakton se neni 2 i konventës, kërkon jo vetëm thjesht informimin e palës për hapat e hetimit, por përfshin dhe pjesëmarrjen aktive […] Gjykata vlerësoi se kjo nuk ishte realizuar për aplikanten […]. Si përfundim, duke pasur parasysh se si u hetua vdekja e Ion Anuska, koha e zhvillimit të hetimit dhe mospërfshirja e aplikuesit në hetim, për Gjykatën konsiderohej se faza hetimore ishte e pamjaftueshme në kuptimin e ligjit. Pra këto fakte çuan në vendimin se ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës.
- Faqe 24 – Moszhvillimi i gjykimit të pandërprerë të shoqërohet me masa disiplinore për prokurorët/gjyqtarët
Tashmë është bërë traditë që gjyqësori shqiptar nuk e respekton parimin e gjykimit të pandërprerë. Neni 342 i Kodit të Procedurës Penale nuk ka gjetur zbatim dhe arsyeja është sepse mungon një formë presioni. Justifikimi ka qenë gjithmonë i lidhur me ngarkesën e gjykatës dhe prokurorëve. Madje në procesin penal për ngjarjen e Gërdecit gjykata vendosi të zbatojë një grafik seancash dy herë në javë për hir të ngarkesës së avokatëve mbrojtës.
Rekomandojmë që të imponohen sanksione ndaj gjyqtarëve që në mënyrë të paarsyeshme nuk caktojnë ditën e nesërme të punës për seancën e ardhshme dhe ndaj prokurorëve që mungojnë në seanca. Prokuroria është një organ që ka kapacitet të madh punonjësish dhe nuk ka asnjë justifikim që prokurorët të pretendojnë se ishin “duke u marrë me masat e sigurimit”.
- Faqe 24 – Gjykimi i shkurtuar
Gjykimi i shkurtuar është një përjashtim i gjykimit të zakonshëm, parashikuar në nenet 404 e vijues të Kodit të Procedurës Penale. Në gjykimin e shkurtuar shmanget procedura e hetimit gjyqësor dhe gjykata merr vendim mbi gjendjen që janë aktet. Gjykimi i shkurtuar kërkohet nga i pandehuri dhe nëse pranohet nga gjykata, i pandehuri përfiton një ulje të dënimit në 1/3.
Në praktikë janë konstatuar probleme në inetrpretimin e këtij momenti procedural, shpeshherë duke abuzuar me aplikimin e këtij gjykimi të posaçëm. Në KPP parashikohet se vendimi i pranimit/mospranimit të gjykimit të shkurtuar është vendim i ndërmjetëm dhe mund të ankimohet bashkë me vendimin përfundimtar. Nga interpretimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë rezulton që Gjykata e Apelit mund të rrëzojë vendimin e ndërmjetëm dhe të ulë dënimin të pandehurit me 1/3.
Disa nga parimet që justifikojnë aplikimin e gjykimit të shkurtuar janë: 1) parimi i ekonomisë gjyqësore, 2) i pandehuri heq dorë nga disa parime të procesit të rregullt ligjor, si kontradiktoriariteti duke përfituar nga ulja e dënimit, por nëse gjykimi në shkallë të parë është gjykuar në mënyrë të zakonshme, i pandehuri ka përfituar nga të gjitha garancitë e procesit të rregullt ligjor, humbet kuptimi i këtij gjykimi, si pasojë edhe përfitimi i dënimit me 1/3 është jo i drejtë, pasi në këtë mënyrë do shkelej edhe barazia para ligjit të të dënuarve të tjerë, që nuk kanë kërkuar aplikimin e këtij gjykimi.
Duke konstatuar që ky gjykim i posaçëm po keqpërdoret nga të pandehurit/avokatët dhe gjyqtarët, mendojmë që vendimi i ndërmjetëm i gjykatës në lidhje me pranimin ose mospranimin e gjykimit të shkurtuar duhet të jetë i formës së prerë, ose të paktën i ankueshëm përpara se gjykata të marrë vendimin përfundimtar, duke e pezulluar gjykimin. Gjykimi në Gjykatën e Apelit mund të trajtohet në mënyrë prioritare njëlloj si në rastin e gjykimit të masave të sigurisë.
Një aspekt tjetër që rekomandojmë është që për disa vepra penale të rënda gjykimi i shkurtuar të mos jetë opsion. Numri i krimeve të rënda është tepër i ulët në raport me veprat e tjera penale që gjykohen në masë të madhe nga gjykatat, kështu që ekonomia gjyqësore nuk përfiton asgjë të ndjeshme. Nga ana tjetër, në rastin e krimeve të rënda është e udhës që procesi i rregullt ligjor të zhvillohet i plotë, me qëllim mbrojtjen e të gjitha garancive për të pandehurin.
- Faqe 25 – Amnistia nuk duhet të prekë “akuzën private”
Në lidhje me amnistinë, aktualisht nuk parashikohet në ligj që ky institut të mos aplikohet për veprat penale që ndiqen nga të dëmtuarit akuzues. Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka bërë një ndarje mes “akuzës publike” (për vepra penale që ndiqen me nismën e prokurorit, ose nga ky i fundit në bazën e një ankimi) dhe “akuzës private” (për vepra penale që ndiqen me nismën e të dëmtuarit akuzues). Amnistia si një akt publik human dhe në përputhje me nevojat që diktojnë politikat penale, duhet të prekë si rregull akuzën publike, pra ato raste që varen nga vullneti i autoriteteve shtetërore të bëjnë përndjekjen e autorit të veprës penale. Ndërsa në rastin e akuzës private, ligji parashikon (neni 338 i Kodit të Procedurës Penale) që i dëmtuari akuzues dhe i pandehuri mund të arrijnë pajtimin. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë gjykata cakton seancën gjyqësore. Nga ky parashikim kuptohet se momenti i “amnistisë” së një akuze private është pikërisht momenti i arritjes së një pajtimi. Amnistia e vendosur me ligj cenon pa të drejtë veprat penale që ndiqen nga të dëmtuarit akuzues, për sa kohë këto vepra nuk shfuqizohen.
- Faqe 25 – Të rishikohet masa e dënimeve për krimet jo të dhunshme dhe të orientohet politika penale drejt masave me gjobë dhe dënimeve alternative
Në Kodin Penal janë parashikuar shumë alternativa dënimi. Ndryshimet e Kodit Penal në vitet 2008, 2010, 2012 e 2013, kanë përmirësuar ndjeshëm parashikimet e kreut VII të tij “Alternativat e dënimit me burgim” si në drejtim të përmbajtjes së dispozitave që lidhen me dënimet e alternative, ashtu edhe me parashikime shtesë në llojet e dënimeve alternative të përmendura më sipër. Kjo qasje e re juridiko-sociale orienton drejt dhënies së dënimeve alternative që kanë kryesisht karakter humanitar dhe jo ndaj dënimit penal që ka kryesisht karakter ndëshkimor. Sipas relacionit shpjegues të ligjit për amnistinë në vitin 2014, autorët janë shprehur se personat, ndaj të cilëve zbatohet një prej alternativave të dënimit me burgim, e ndiejnë forcën shtrënguese të shtetit në një mënyrë ose në një tjetër, pasi ata kufizohen në liritë dhe të drejtat e tyre, ndiejnë vrojtimin dhe mbikëqyrjen reale të autoriteteve zbatuese dhe, kështu, ata në këtë mënyrë vuajnë edhe pasojat e veprës së kryer prej tyre.
Sipas të njëjtit relacion, deri në Janar 2014 rreth 9000 persona kanë kaluar nëpërmjet Shërbimit të Provës, masë e cila nga njëra anë ul mbipopullimin në burgje dhe ul koston buxhetore të shtetit dhe nga ana tjetër ndikon drejtpërdrejt në rehabilitimin e shpejtë dhe riintegrimin në shoqëri të këtyre personave. Është fakt i pamohueshëm që numri i personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, përkundrejt kapaciteteve mbajtëse të këtyre institucioneve, për fat të keq është më i madh dhe me tendencë rritjeje. Në këtë kuptim, numri i shtuar i të dënuarve në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikon në uljen e cilësisë së shërbimeve ndaj tyre për shkak se edhe kapacitetet financiare dhe njerëzore nuk janë të pakufizuara, por çka është më e rëndësishme, ndikon ndjeshëm në hapësirat e tyre jetike.
Për këtë arsye, krahas nismave të ngjashme edhe në vende të tjerë perëndimorë, siç është rasti i fundit edhe SHBA, duhet përkrahur ideja që për krimet jo të dhunshme të aplikohen dënime alternative, si dhe të shihet mundësia për reduktimin e disa dënimeve duke i bërë dënimet më proporcionalë me llojin e veprës penale. Një rishikim dërësor i dënimeve të parashikuara në Kodin Penal do të ishte zgjidhja më e mirë, duke aplikuar politikat penale sipas nevojave dhe koncepteve të kohës.
- Faqe 25 – Të përforcohen parashikimet ligjore për trajtimin e të pandehurit me dinjitet në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë (për shembul heqja e kafazeve të hekurit nga sallat e gjykatave)
Vendosja e të pandehurve në kafaze metalike dhe respektimi i parimit të prezumimit të pafajësisë kërkon jo vetëm shmangien e deklaratave që vënë në dyshim fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit para vendimit përfundimtar, por shtrihet edhe në aspektet materiale të trajtimit të tij nga autoritetet. Kështu Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mban qëndrimin që vendosja e të pandehurve gjatë seances në kafaze hekuri apo pranga është një shkelje e nenit 6.2 të Konventës, që garanton të drejtën e prezumimit të pafajësisë (shih Auguste k. Francës, nr. 11837/85, Raporti i Komisionit të 7 qershor 1990, DR 69, fq 104;… Meerbrey kundër Gjermanisë, nr 37998/97, vendim i Komisionit i 12 janarit 1998).
Kohët e fundit, Gjykata ka nisur shqyrtimin e praktikave të tilla edhe në bazë të Nenit 3 (e drejta për mbrojtje nga trajtimi degradues,. Midis shumë autoriteteve shih Khodorkovskiy v Rusisë, nr 5829/04, 31 maj 2011). Kjo nuk duhet të kuptohet, se vendosja e një të pandehuri në një kafaz metalik do të jetë gjithmonë në shkelje të Neneve 6.2 ose 3; më tepër, kjo do të thotë se autoritetet duhet të vlerësojnë të gjitha rrethanat e rastit për të pandehurin dhe të vendosin një të pandehur në një kafaz metalik vetëm në rastet kur ka baza të arsyeshme si për shembull akte dhune të shprehura në sallën e gjyqit, bazuar në incidente të mëparshme dhe / ose (përfundimtare) si dënimet e mëparshme për krimet e dhunshme, fakte që të bëjnë të besosh se i pandehuri ka të ngjarë të veprojë në mënyrë agresive dhe se miratimi i një mase tjetër, më pak kufizuese (p.sh. prangosja), nuk do të jetë efektive. Duhet theksuar në këtë drejtim se vende si Armenia apo Gjeorgjia, ku sallat janë të pajisura me kafaze metalike autoatikisht kanë zbatuar reformat me qëllim heqjen e tyre (shih Svinarenko dhe Slyadnev kundër, Rusisë, nr. 32541/08 dhe 43441 / 08. 11 dhjetor 2012, paragrafi 66).
- Faqe 26 – E drejta për të mos u befasuar
Në Strategjin, në faqen 26 parashikohet “e drejta për të mos u befasuar”, si një nga të drejtat e viktimës. Nën mënyrën e përshkruar mbetetet e paqartë se çfarë nënkuptohet, për këtë arsye mendojmë që duhet të riformulohet në “e drejta për pritshmëri të ligjshme”. Nëse është kështu, mendojmë që kjo e drejtë realizohet më së miri në rast se të dëmtuarit nga vepra penale i jepet e drejta të ankohet ndaj vendimit të gjykatës penale, pavarësisht faktit nëse prokurori ankohet ose jo. Kjo e drejtë është në kuadër të konceptimit të natyrës duale të objektit të veprës penale, i cili nuk përfshin vetëm cenimin e marrëdhënies juridike mes shtetit të shtetasve për mbrojtjen e jetës, shëndetit, pasurisë, dinjitetit, etj, por edhe vetë cenimin e interesave të shtetasit të dëmtuar. Kështu, përveç shtetit (prokurori), në proces merr rol aktiv edhe vetë i dëmtuari, përmes avokatëve të caktuar prej tij. Roli aktiv përfshin të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, dhënia e konkluzioneve, pyetja e dëshmitarëve, ekspertëve, etj. Për më shumë, shih pikën 25 në komentet më sipër.
- Faqe 30 – Dhënia në formën “outsource” e funksionit të klinikave ligjore
Aktualisht klinikat ligjore janë çelur nga universitetet, por në praktikë gjen shpesh raste kur OJF të ndryshme i kanë të gjitha mundësitë teknike dhe njerëzore që të ofrojnë një mundësi të tillë. Në praktikë problemi shtrohet tek akordimi i krediteve për praktikën e ndjekur nga studentët dhe OJF-të nuk kanë të drejtë të japin kredite që njihen. Një formë bashkëpunimi mund të ishte mes universiteteve dhe OJF-ve që u shërbejnë falas individëve në nevojë, duke u dhënë atyre klinika ligjore në formën e një outsource. Për të bërë të mundur këtë gjë duhet rishikuar legjislacioni për të bërë ndërhyrjet e duhura.
Nëse klinikat ligjore dalin jashtë “kufijve” fizikë të universiteteve, kapaciteti i tyre do të rritet ndjeshëm, duke ndikuar pozitivisht në cilësinë e profesionistëve të rinj, si dhe në çuarjen përpara të rasteve të “litigimit strategjik” nga profesionistë me përvojë, me pasojë riparimin e sistemit përmes praktikës gjyqësore, pa pasur gjithmonë nevojën e ndërhyrjeve në ligj.
- Faqe 31 – Nuk rekomandohet testi periodik për avokatët
Në Strategji vihet re se ekspertët kanë sjellë në vendje nevojën e testimit peridiok për avokatët, noterët, etj. Në parim duket se kjo është një nismë pozitive e cila synon përmirësimin e shërbimeve. Nga ana tjetër konstatojmë se profili i avokatit është tërësisht ndryshe nga cdo aktor tjetër në fushën e drejtësisë.
Nëse gjyqtarët, përmbaruesit, etj janë funksione publike, avokatët janë persona që ofrojnë shërbime të karakterit privat, në fomën e një biznesi. Madje edhe noterët janë funksionarë publikë, të cilët funksionojnë njëlloj si në rastin e një koncensioni shtetëror. Profili i avokatit nuk barazohet askund me të gjitha funksionet e tjerë.
Madje, duhet pasur para sysh se avokatët tashmë kanë nisur të profilizohet dhe në treg gjen shumë avokatë që kanë njohuri tepër të mira për çështje të caktuara dhe kanë pak ose aspak njohuri në disa fusha të tjera. Për shembull një avokat që merret me çështje familjare, supozohet se nuk ka njohuri të tilla në fushën e të drejtës së autorit apo pronësisë industriale. Duke pasur para sysh këtë veçori, bëhet e vështirë që në pratikë avokatët të kalojnë provime periodike, ku përfshihet testimi në të gjithë fushat.
Megjithatë, jemi dakord që avokatët të cilët nuk e ushtrojnë profesionin për një kohëzgjatje të caktuar, duke pasur një status pasiv, mund të detyrohen të kalojnë në një provim periodik, të organizuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve.
- Faqe 32 – Të krijohet hapësirë për ankim efektiv në provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës dhe të krijohet akses i mjaftueshëm në fletët e provimeve të konkurentëve të tjerë
Në Strategji mungon adresimi i problemit akut lidhur me të drejtën e informimit dhe të ankimit mbi “vlerësimin” e kandidatit për t’u pranuar në Shkollën e Magjistraturës, edhe pse këto të drejta janë të drejta kushtetuese dhe pjesë e të drejtave të sanksionuara edhe nga Konventa e të Drejtave të Njeriut, neni 10, i cili shprehet se cilitdo i njihet e drejta për të pasur informacion në cdo dokument publik, dhe në bazë të nenit 13 sipas të cilit cilitdo i duhet garantuar e drejta e ankimit efektiv.
Shkolla e Magjistraturës nuk është thjesht një shkollë ku përgatiten gjyqtarët dhe prokurorët e rinj. Ky institucion nuk të pajis thjesht me një diplomë në fund, me të cilën mund të gjesh punë ose jo. Pranimi në Shkollën e Magjistraturës e vesh kandidatin fitues të provimit të pranimit automatikisht me pushtetin gjyqësor.Ndërsa njihet transparenca e procesit të zgjedhjeve të deputetëve dhe ai i emërimit të ministrave, procesi i zgjedhjes së gjyqtarëve/prokurorëve është i mbyllur dhe jo transparent.
Ndryshe nga perceptimi paraprak se është KLD autoritet që emëron gjyqtarët, në realitet KLD është kompetente vetëm për caktimin se ku do të emërohet një gjyqtar/prokuror, por jo zgjedhjen e tyre si zyrtar i pushtetit gjyqësor. Gjyqtar mund të bëhet vetëm ai person që ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës, pasi ka konkuruar për t’u pranuar në këtë shkollë. Pranimi në Shkollën e Magjistraturës, i cili passjell automatikisht qenien gjyqtar/prokuror, bëhet nëpërmjet një gare dhe jo provimi. Në këtë garë nuk fiton ai që ka marrë një numër të caktuar pikësh, por ai qe ka marrë më shumë pikë se konkurentët e tjerë.
Megjithatë, ligji për Shkollën e Magjistraturës nuk parashikon procedura të qarta për informimin mbi rezultatet e konkursit dhe aq më pak mungojnë edhe procedurat për ankimime eventuale.
Sipas rregullores së brendshme të Shkollës së Magjistraturës lejohet të konsultohet vetëm testi i tij (jo i konkurentëve të tjerë) brenda 48 orëve dhe kjo nuk mundet as të fotografohet dhe as të fotokopjohet, në mënyrë paradoksale.
E drejta e ankimit vlen nëdy raste; për gabime matematikore (llogaritje gabim të mbledhjes së pikëve) dhe aspekte procedurale pa e qartësuar se cilat janë këto aspekte, por në asnjë rast nuk parashikohet ankim kur pyetjet janë vlerësuar gabim nga komisioni.
Mosbërja e transparencës së provimeve të fituesve është e padrejtë sepse një kandidat nuk penalizohet vetëm kur provimi i tij është vlerësuar gabim, por edhe kur një kandidati tjetër i jepen më shumë pikë pa të drejtë. Si në rastin kur kandidati nuk është vlerësuar drejt, ashtu edhe në rastin kur konkurentët e tjerë janë vlerësuar me më shumë pikë, rezultati është që dikush është kandidat për tu bërë pjesë e pushtetit gjyqësor pa të drejtë, dhe dikujt tjetri i mohohet ky pushtet pa të drejtë. Një proces jo transparent dhe pa të drejtë ankimi, bie ndesh me parimet e një konkurimi të drejtë.
- Faqe 34 – Profesionet e lira, rregullimi i arkivës së noterëve që lënë detyrën pa e trashëguar, e drejta e informimit lidhur me aktet noteriale, si dhe disa konsiderata të tjera
Mendojmë se përvec objektivave të përfshira në këtë kapitull (objektivi 2) duhet të shtohet edhe një tjetër që lidhet me rregullimin ligjor të administrimit të arkivës së noterëve, sidomos për noterët që mbyllin aktivitetin për arsye të ndryshme. Nisur nga praktika vihet re një mangësi e kuadrit ligjor për sa i takon dorëzimit dhe ruajtjes së arkivave të noterëve. Normat ligjore aktuale janë të natyrës lejuese dhe jo shtrënguese si rezultat i kësaj, aktualisht nëse kërkon të marrësh një dokument (edhe pse të një rëndësie të madhe, si p.sh një kontratë shitje që përbën titull pronësie) nga një arkivë e një Noteri/Notereje shpesh do hasësh në pamundësi reale të gjetjes së tij dhe askush nuk mban përgjegjësi ligjore.
Gjithashtu në kuadër të respektimit dhe garantimit të së drejtës së informimit si e drejtë kushtetuese dhe themelore e Njeriut, lipset të shikohet mundësia e përcaktimit në ligj të ushtrimit të kësaj të drejte edhe për aktet noteriale, duke përjashtuar vetëm ato të dhëna që janë të dhëna personale ose sensitive. Me fjalë të tjera, Noteri/ja duke qenë një funksion publik (njësoj si institucionet e administratës publike) duhet të jetë transparent në aktivitetin e vet publik duke u bërë subjekt i ligjit “Për të drejtën e informimit” (ligji nr. 119/2014).
Përveç sa më sipër vlerësojmë të nevojshme përmirësimin e kuadrit ligjor lidhur me:
- Reduktimin e tarifave për aktet noteriale të cilat nuk hartohen nga noteri por nga një profesionist jashtë zyrës së noterisë (si psh një kontratë e hartuar nga një avokat) të cilat momentalisht kanë çmime të larta që shkojnë në varësi të llojit të aktit dhe vlerës së objektit.
- Hartimin e prokurës, i cili është një akt përfaqësimi për vlefshmërinë e të cilit, nuk kërkohet hartimin i tij me akt noterial në të gjitha rastet (Kodi Civil). Në këtë këndvështrim duhet përmirësuar kuadri ligjor që tani e bën të detyrueshme hartimin e aktit të përfaqësimit para Noterit. P.sh përfaqësimi para gjykatës mund të bëhet me akt përfaqësimi të hartuar e nënshkruar nga avokati. Në këtë mënyrë ulen shpenzimet e panevojshme për qytetarin. Një praktikë e tillë ndiqet edhe në vende të tjerë të BE-së.
- Faqe 34 – Duhet të rregullohet me detaje mënyra e caktimit të avokatëve të caktuar kryesisht, masat disiplinore ndaj tyre, si dhe shpërblimi i tyre, me qëllim mbrojtjen efektive të të pandehurve
Res Publica mirëpret reformimin e Kodit të Procedurës Penale në fushën e të drejtave të të pandehurit dhe në mënyrë të veçantë në rritjen e cilësisë së ndihmës së ofruar nga avokatët e caktuar kryesisht. Duhet të theksohet se grupe të shumtë interesi lobojnë për përfshirjen efektive të aksesit në drejtësi, post-2015, lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të OKB-së[12]. Një rishikim i plotë i kuadrit ligjor për ofrimin e ndihmës juridike falas, do të tregojë jo vetëm se Shqipëria po ndjek nga afër të gjitha zhvillimet relevante në të drejtën ndërkombëtare, por gjithashtu do të ketë efekte pozitive në aspektin social dhe financiar. Kjo është arsyeja pse ne jemi përfshirë në Deklaratën e Johanesburgut për Zbatimin e Parimeve dhe Udhëzimeve të Kombeve të Bashkuara për Aksesin në Ndihmën Juridike në Sistemin e Drejtësisë Penale, Johanesburg, Afrika e Jugut 24-26 qershor, 2014, në të cilën parashikohet:
“Kostoja e mos ofrimit të ndihmës juridike falas zëvendëson koston e ofrimit të saj dhe ka pasoja të rëndësishme financiare për të burgosurit, familjet e tyre dhe komunitetin – si dhe për shtetin menaxhimin e një numri të madh të të paraburgosurve. Programet e ndihmës ligjore reduktojnë arrestimin dhe ndalimin arbitrar, si dhe përmirësojnë administrimin e drejtësisë, rrisin besimin e publikut në drejtësi dhe mund të nxisë nivelin e zhvillimit socio-ekonomik të familjes dhe komunitetit”.[13]
Aspekte Kryesore
Ne besojmë se reformimi, ndër të tjera, cilësinë për ofrimin e ndihmës juridike, përbën një mundësi unike për të përfshirë në legjislacionin e brendshëm zhvillimet e fundit në këtë fushë, siç është përcaktuar në Parimet dhe Udhëzimet e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën për Ndihmë Juridike në Sistemet e Drejtësisë Penale, Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme (GA) miratuar më 20 dhjetor 2012 (A/RES/67/187)[14]. Rezoluta e përkufizon ndihmën ligjore si “…këshillim ligjor, ndihmë dhe përfaqësim për personat e ndaluar, arrestuar apo të burgosur, të dyshuar apo akuzuar, ose i akuzuar për vepër penale dhe për viktimat dhe dëshmitarët në procesin e drejtësisë penale që jepet pa kosto, për ata që nuk kanë mjete të mjaftueshme ose kur e kërkon interesi i drejtësisë. Për më tepër, “ndihma ligjore” ka për qëllim të përfshijë konceptet e edukimit ligjor, aksesin në aktet ligjore dhe shërbimet e tjera të ofruara për personat nëpërmjet mekanizmave alternativë për zgjidhjen e konflikteve dhe procesit të drejtësisë restauruese.”[15] Me fjalë të tjera, nocioni i ndihmës ligjore në bazë të Rezolutës së OKB-së është shumë më i gjerë dhe gjithëpërfshirës sesa thjesht e drejta për t’u mbrojtur me një avokat.
Rezoluta përmban një listë shumë të detajuar të parimeve, duke trajtuar një gamë të larmishme të çështjeve të tilla si nevoja për të zbatuar masa të veçanta në mënyrë që të ofrohet një ndihmë juridike efektive për grupet vulnerabël (të tilla si gratë, fëmijët dhe personat me HIV) ose ofrimin e ndihmës juridike për viktimat e krimeve.
Res Publica konsideron se shumica, nëse jo të gjitha udhëzimet dhe parimet e përcaktuara në Rezolutë, duhet të trupëzohen në rendin juridik shqiptar. Ne mendojmë se Udhëzimet e mëposhtme janë veçanërisht të rëndësishme në kontekstin shqiptar:
Udhëzimi 6 – Ndihma juridike në fazën e ekzekutimit të vendimit gjyqësor.Të burgosurit duhet të informohen për rregullat e burgut dhe të drejtat e tyre ligjore.Ofruesit e ndihmës juridike duhet të inkurajohen që të hartojnë listat e rotacionit të avokatëve për të vizituar burgjet dhe për të ofruar këshilla ligjore falas në ndihmë të të burgosurve.
Udhëzimi 11 – Sistemi mbarëkombëtar i ndihmës juridike: Shtetet duhet të ngrenë një sistem të integruar të ndihmës juridike, duke përmbushur nevojat e fëmijëve dhe grupeve të veçanta të tilla si njerëzit me aftësi të kufizuara, që jetojnë me HIV, personat pa shtetësi etj., ofruesit e ndihmës juridike duhet të trajnohen dhe atyre që punojnë me fëmijët duhet të marrin trajnim të specializuar dhe ndërdisiplinore mbi të drejtat dhe nevojat e fëmijëve. Duhet të ngrihet një organ për të administruar, koordinuar dhe monitoruar shërbimet e ndihmës juridike.
Udhëzimi 14 – Paralegalët: Shtetet duhet të njohin se kanë një rol të rëndësishëm në sigurimin e ndihmës juridike. Për këtë qëllim, shtetet duhet të parashikojnë standarde të trajnimit dhe akreditimit të skemës së ndihmës ligjore, si dhe mbikëqyrjen e trajnimit të tyre dhe punën e përditshme nga ana e avokatëve të kualifikuar.Cilësia e shërbimeve të tyre duhet të monitorohet rregullisht dhe të krijohet një sistem vlerësimi.
Udhëzimi 15 – Rregullimi dhe mbikëqyrja e ofruesve të ndihmës juridike: shtetet duhet të vendosin kritere për përzgjedhjen e ofruesve të ndihmës juridike, në mënyrë që të sigurohet se ata janë subjekte të Kodeve të sjelljes profesionale dhe instituti i ankesave efektive dhe të ngrihen mekanizma të mbikëqyrjes, me qëllim të parandalimit të korrupsionit.
Udhëzimi 16 – Bashkpunimi me organizata jo-shtetërore të ofrimit të ndihmës juridike dhe Universiteteve: Universitetet dhe OJF-të duhet të lejohen për të ofruar shërbime të ndihmës ligjore dhe shtetet duhet të konsultohen me shoqërinë civile, institucionet e drejtësisë dhe shoqatat profesionale për të njohur zyrtarisht rolin e tyre në sistemin e ndihmës juridike. Duhet të themelohen standardet e cilësisë, si dhe të sigurohet dhe promovohet aksesi në ndihmën juridike në të gjithë vendin dhe për të gjitha komunitetet. Studentët e ligjit duhet të inkurajohen që të marrin pjesë në klinikat e ndihmës juridike apo skemave të komunitetit.
Udhëzimi 17 – Kërkimi dhe të dhënat: Shtetet duhet të kryejnë kërkime dhe mbledhje të të dhënave në lidhje me sistemin e ndihmës juridike, duhet të shkëmbejnë praktika të mira dhe duhet të përmirësojnë koordinimin midis institucioneve të drejtësisë.
Bazuar në këto parime, si dhe nga një studim në thellësi të sistemeve të ndryshme të ndihmës juridike, Res Publica dëshiron të parashtrojë këto rekomandime konkrete, të cilat i konsideron absolutisht të rëndësishme:
- Së pari, organi përgjegjës për përzgjedhjen e ofruesve të ndihmës ligjore, duhet të jetë plotësisht i pavarur nga autoriteti i prokurorisë dhe gjykatave. Ndihma juridike duhet të jetë e detyrueshëm sipas ligjit ose kur gjykata konsideron se kjo është e rëndësishme për interesat e drejtësisë, zyrtarët kompetente shtetërorë duhet vetëm të paraqesin kërkesën përkatëse, por nuk duhet të vendosin se cili do të emërohet. Pavarësisht nga sistemi i emërimin të stafit, organet shtetërore nuk duhet të kenë të drejtë të caktojnë një avokat të zgjedhur nga ata.
- Së dyti, këtij organi duhet t’i caktohen kompetencat e mëposhtme: Të përpunojnë dhe të vënë në praktikë politikat e ndihmës juridike; zhvillimin dhe menaxhimin e buxhetit të ndihmës juridike; përzgjedhjen dhe kontraktimin e ofruesve të ndihmës juridike, administrimin shpërblimin të tyre; organizimin e trajnimeve për ofruesit e ndihmës juridike; Kontrollimin e cilësisë së shërbimit. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike mund ta përmbushë këtë rol, por vetëm pas një rregullimi ligjor të plotë të rolit dhe mandatit të tij.
- Së treti, ligji duhet të ndalojë në parim praktikën e caktimit të shumë avokatëve kryesisht brenda një çështjeje. Pasi një avokat kryesisht të jetë caktuar për të pandehurit, ai / ajo duhet të jetë i detyruar për të mbrojtur klientin, përveç rasteve kur klienti refuzon për shkaqe të arsyeshme shërbimet e tij / saj, ose ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që bëjnë të pamundur mbrojtjen e mëtejshme nga ky avokat.
- Së katërti, Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të ketë kompetencë për përzgjedhjen e avokatëve kryesisht dhe monitorimin e punës së tyre. Avokati i caktuar kryesisht duhet të raportojë për shërbimin e kryer një herë në vit përpara Dhomës Kombëtare të Avokatisë. Dhoma Kombëtare e Avokatisë duhet të organizojë trajnime të vazhdueshme në mënyrë të veçantë për avokatët kryesisht me qëllim përditësimin me ndryshimet legjislative dhe praktikat kombëtare dhe ndërkombëtare.
- Duhet të përcaktohen tarifa konkrete për shërbimin e kryer nga avokatët kryesisht, e cila duhet të jetë e barazvlefshme me tarifat e përcaktuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë për profesionin e avokatit.
Rekomandimet e mësipërme theksohen nga ana jonë, pasi aktualisht vihet re se në Shqipëri avokatët kryesisht caktohen pa asnjë kriter, të pandehurve u serviren avokatët sipas dëshirës së prokurorëve apo gjyqtarëve dhe nuk u jepet mundësia për të zgjedhur një avokat nga lista.Avokatët e caktuar kryesisht nuk kontaktojnë klientët në kohën e duhur përpara zhvillimit të procedurës së rradhës dhe se shpesh ata nuk janë në dijeni të akteve që ndodhen në dosje.
Në praktikë vihen re raste kur nga nisja e procesit penal deri në përfundimin e gjykimit dhe dhënien e vendimit konsumohen 10-20 minuta, çka demonstron se procedura është e gjitha fiktive dhe se mbrojtja nga avokati i caktuar kryesisht nuk është efektive.Probleme të sistemit aktual lidhen edhe me mënyrën e pagesës së avokatëve kryesisht, mungesën e procedimeve disiplinore ndaj tyre, mosveprimin e organit procedues që të zëvendësojë avokatin e caktuar kryesisht kur në mënyrë të dukshme ai neglizhon mbrojtjen, etj.
- Faqe 35 – Ekzekutimi brenda afatit të arsyeshëm nga llogaria e Thesarit
Në teori çdo vendim gjyqësor i formës së prerë duhet të ekzekutohet brenda një afati të arsyeshëm. Mirëpo, në praktikë, përmbaruesit gjyësorë e gjejnë pothuaj të pamundur që të ekzekutojnë vendimet gjyqësore që përmbajnë detyrime monetare kur gjenden përballë llogarisë së Thesarit të Shtetit.
Deri më sot është konceptuar se prekja e pakontrolluar e llogarisë së Thesarit mund të krijojë anomali në buxhetin e shtetit. Por, Gjykata Kushteutese, pas vënies në lëvizje nga Avokati i Popullit, ka rrëzuar një përpjekje të mëparshme të Këshillit të Ministrave për të ekzekutuar në mënyrë të kontrolluar vendimet gjyqësore që përmbajnë detyrime monetare. Në thelb, llogaria e Thesarit duhet të përgjigjet njëlloj ndaj vendimeve gjyqësore, pavarësisht faktit nëse i volit ose jo pushtetit ekzekutiv.
Reforma në Drejtësi duhet të riparojë përfundimisht këtë aspekt tejet problematik, duke shmangur përfundimisht rastet e panumërta të mosekzekutimit të vendimeve gjyqësore në një kohë të arsyeshme.
- Faqe 35 – Kufizimi i funksionit të Avokaturës së Shtetit
Roli i Avokaturës së Shtetit është zgjeruar ndjeshëm nga mënyra se si gjykatat e kanë kuptuar atë dhe kanë formuar një praktikë gjyqësore e cila ka tejkaluar kufijtë për të garantuar një proces të rregullt ligjor dhe barazi armësh në proces. Avokatura e Shtetit është konsideruar si një palë ndërgjyqëse, ndonëse roli i saj është vetëm të përfaqësojë të drejtat e autoriteteve shtetërore. Në praktikë gjen shumë raste kur autoritetet shtetërore nuk janë ankuar ndaj vendimeve, ndonëse kanë marrë pjesë në gjykim dhe kanë qenë të pranishëm në momentin e shpalles së vendimit. Avokatura e Shtetit, që shpesh është në mungesë në shpalljen e vendimit të gjykatave të shkallës së parë dhe të dytë, paraqet apel ose rekurs kur merr dijeni për vendimin. Ky moment ka siguruar për palën shtetërore mbrojtje të tepërt, pasi afati i ankimit duhet të nisë si rregull nga momenti i shpalljes së vendimit dhe jo nga momenti kur Avokatura e Shtetit merr dijeni, që mund të ndodhë shumë muaj më vonë. Ankime të tilla cenojnë sigurinë juridike të palëve gjyqfituese.
Në shumë raste Avokatura e Shtetit e delegon mbrojtjen te vetë autoriteti shtetëror, por ky delegim merr kohë, konsumon disa veprime të detyrueshme në seancë, etj. Ligji aktualisht nuk ka përcaktuar disa kritere automatike të përzgjedhjes së çështjeve ku prania e Avokaturës së Shtetit të jetë e detyrueshme, duke e bërë atë të pranishmë në çdo proces të mundshëm, sado i vogël dhe i parëndësishëm ka qenë objekti i padisë. Duke ngushtuar rrethin e veprimeve që kryen Avokatura e Shtetit do të ndihmojë edhe vetë këtë të fundit për të garantuar mbrojtje më cilësore, pasi aktualisht mbingarkesa është aq e madhe sa avokatët e shtetit shpesh nuk arrijnë të sigurojnë as një mbrojtje minimaliste.
- Faqe 35 – Avokatura e Shtetit të ketë detyrim ekskluziv për paditë e regresit
Një plagë e madhe në buxhetin e shtetit është hapur prej kohësh dhe vijon të thellohet nga aktet e paligjshme të drejtuesve të autoriteteve shtetërore, të cilët humbin në vijim çështje gjyqësore ndaj individëve privatë. Në të gjitha rastet është i mundshëm identifikimi i autorit të shkeljes që ka sjellë më pas “ndëshkimin” e autoritetit publik në gjykatë. Në të gjitha rastet duhet të ngrihet një “padi regresi” ndaj autorëve të shleljeve, me qëllim rimbursimin e buxhetit të shtetit. Aktualisht kjo nuk po funksionon. Paditë e regresit janë pothuaj inekzistente në raport me morinë e madhe të proceseve gjyqësore ku shtetas të ndryshëm fitojnë shpërblime dëmi në gjykatë. Zyrtarët përgjegjës nuk paguajnë nga pasuria e tyre, ndërkohë që buxheti i shtetit paguan vazhdimisht. Problemi gjenerohet nga konfuzioni se cili e ka për detyrë të ngrejë padinë e regresit. Nga njëra anë është vetë autoriteti publik dhe nga ana tjetër është edhe Avokatura e Shtetit. Askush nuk e ka detyrim ekskluziv ngritjen e kësaj lloj padie.
Duke e përfshirë padinë e regresit si detyrim të Avokaturës së Shtetit, do të dihet përfundimisht se cili është organi përgjegjës që duhet të ngrejë padinë përpara se ajo të parashkruhet. Në rast të konstatimit të parashkrimit të padisë, pa veprim nga Avokatura e Shtetit, kjo e fundit dhe personat përgjegjës në këto struktura, do të duhet të përgjigjen përpara organeve audituese.
- Faqe 35 – Avokatura e Shtetit të jetë kompetente për zgjidhjen e çështjeve me pajtim
Aktualisht zgjidhjet me pajtim ndërmjet autoriteteve shtetërore dhe subjekteve private nuk përshkruhet në detyrat funksionale të asnjë organi. Në praktikë ka shumë raste kur është e pritshme që investimi i gjykatës nga persona privatë është i sigurtë që do të jetë i susksesshëm në parim. Është jetike që një organ shtetëror të ketë mundësinë e negocimit, duke ofruar zgjidhje më të favorshme për buxhetin e shtetit. Kjo detyrë mund të mbulohet nga Avokatura e Shtetit, njëlloj siç aktualisht kjo mënyrë të vepruari funksionon në rastet e arbitrazheve ndërkombëtare.
- Faqe 35 – Avokatura të jetë në varësi të Kryeministrit
Aktualisht Avokatura e Shtetit varet nga Ministria e Drejtësisë. Në rast se do të ketë kompetenca për negocim, si dhe do të duhet të ngrejë në cdo rast paditë e regresit, jemi të mendimit që varësia e këtij autoriteti të ndryshojë, duke e zhvendosur në varësinë direkte të Kryeministrit.
- Faqe 39 – Të rritet afati i ankimit nga i dëmtuari nga vepra penale
Një pikat që rekomandojmë të rishikohet është edhe afati për të ankimuar vendimin e pushimit/mosfillimit të organit akuzues, nga 5 ditë që është aktualisht në Kodin e Procedurës Penale, duhet të bëhet të paktën 10 ditë, me qëllim për ti dhënë mundësinë të dëmtuarve, viktimave dhe familjarëve të tyre për të realizuar në kohë të drejtën e ankimit.
- Faqe 41 – Të merret në analizë edhe justifikimi i pasurisë edhe nga të afërm të tjerë të rrethit familjar, duke e zgjeruar atë
Jemi të mendimit që rrethi për kontrollin e pasurive për gjyqtarët dhe prokurorët të shtrihet edhe tek të afërmit e tyre të nivelit të parë. Siç konstatohet nga analiza e objektivit 3 në dokumentin strategjik të reformës në sistemin e drejtësisë, rrethi i të afërmve dhe personave të lidhur gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët i nënshtrohen sistemit të deklarimeve nuk është i mjaftueshëm. Aktualisht ky sistem vështirëson kërkimin e informacionit dhe dobëson transparencën. Rrjedhimisht ky rreth duhet zgjerohet për të rritur efiçiencën në transparencë dhe në luftën kundër korrupsionit.
- Faqe 40 – Vlerësimi i gjyqtarëve, jo nga një komision ad hoc
Në faqen 40 të Strategjisë parashikohet se vlerësimi i gjytarëve të bëhet nga një komision ad hoc. Sipas Strategjisë, faqja 13, parashikohet që KLD do të funksionojë në tre Komisione, një ndër të cilët do ketë kompetenca për vlerësimin e karrierës së gjyqtarëve. Krijimi i një strukture paralele nuk do ishte e rekomandueshme pasi do të mbivendoste kompetencat dhe do krijonte konfuzion në realizimin e funksioneve. Vlerësimi i gjyqtarëve duhet të jetë kompetencë e KLD-së, dhe konkretisht të Komisionit për Vlerësimin e Karrierës së Gjyqtarëve.
- Faqe 44 – Lehtësimi i barrës së provës duhet rifrazuar sepse i është dhënë nje tjetër kuptim, i cili na rezulton i pasaktë. Besojmë se bëhet fjalë për konfiskimin e të ardhurave nga aktivitetet e krimit të organizuar
Res Publica ndan plotësisht angazhimin e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar. Në këtë kuptim, vëmë në dukje se konfiskimi i të ardhurave nga krimi mund të përbëjnë një armë shumë efektive për këtë qëllim, duke privuar anëtarët e krimit të organizuar nga fitimet e tyre të pandershme. Ajo që duhet të theksohet në këtë drejtim, dhe që vlerësohet edhe nga Gjykata Evropiane, është se asetet që i përkasin organizatave mafioze mund të konfiskohen ligjërisht në bazë të “provave të mjaftueshme rrethanore” dhe një supozimi se pasuria e pjesëtarëve të organizatave të krimit të organizuar janë të fituara me të ardhura që rrjedhin nga veprimtari të paligjshme, sidomos në rastet kur veprimtaritë kriminale kanë arritur një nivel shqetësues dhe nën garantimin e rreptë se të pandehurit i është dhënë mundësi e mjaftueshme për të paraqitur fakte të besueshëm, sa i përket origjinës së këtyre pasurive, në mënyrë që të hedhë poshtë supozimin e lartpërmendur (Arcuri dhe të tjerët kundër Italisë (vendim) ka 52024/99, 5 korrik 2001;.. shih gjithashtu Aboufadda kundër Francës (dec) jo 28457/10, 4 nëntor 2014) Me fjalë të tjera, standardet e të provuarit në procedurën e konfiskimit të aseteve që rrjedhin nga aktivitetet kriminale janë më të ulëta se ato të nevojshme për dënimin e të pandehurit në përputhje me dispozitat e nenit 6 të Konventës.
- Faqe 46 – Të ulet pragu i pagesave cash (p.sh. 10.000 lekë)
Standardi i vendosur në dokumentin strategjik në objektivin 5, ku synohet ulja e pragut për nivelin e pagesave e pagesave cash nga gjyqtarët dhe prokuroët dhe personat e lidhur me ta sipas ligit për Pastrimin e Parave, është i drejtë dhe i saktë. Megjithatë, jemi të mendimit që ky standard të ruhet edhe midis palëve kur ata kryejnë pagesa për shërbime avokatie dhe noterie. Pra nuk duhet që të gjitha pagesat të kryhen me transferta bankare. Është e nevojshme dhe racionale që të vendoset një prag limit (për shembull prej 10.000 lekësh) në pagimin e detyrimeve në të holla kur kemi kryerje veprimesh të tilla. Kështu ulet mundësia për transaksione të paligjshme dhe jashtë sistemit bankar dhe ndërkohë nuk kemi dy standarde kur nga njëra anë kërkohet ulja e pragut për uljen e pagesave cash nga gjyqtarët dhe prokuroët dhe nga ana tjetër detyrohen palët që çdo veprim ta bëjnë me transfertë bankare.
- Të rishikohet organizmi i dhe funksionimi i Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike
Strategjia përfshin edhe reformimin e Komisionit Shtetëror të Ndihmës Juridike. Aktualisht ky komision nuk funksionon siç duhet dhe autoritetet nuk kanë shumë në dorë pasi mënyra e emërimit dhe shkarkimit të drejtuesve nuk është e favorshme, duke u varur nga një autoritet jopublik siç është Dhoma Kombëtare e Avokatëve. Ky problem duhet adresuar për ta bërë më efektiv kontrollin mbi këtë autoritet.
Gjithashtu, duhet qartësuar përfundimisht qëllimi i këtij autoriteti, duke përjashtuar shprehimisht mbrojtjen ligjore për çështjet penale, përveç rasteve kur subjekt i ndihmës është një person me statusin e të dëmtuarit akuzues.
- Sistemi i burgjeve dhe financimi i tij të bëhet sipas standardeve
Res Publica vlerëson se cdo iniciativë për amendimin e kuadrit ligjor të burgjeve duhet të marrë në konsideratë Rekomandimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian Rec(2006)2 Mbi Rregulloren e Burgjeve Evropianë, i cili shpesh referohet në vendimarrjen e Gjykatës Evropiane (shih mes te tjerash Enache v. Romania, nr. 10662/62, 1 Prill 2014).
- Rishikimi i tarifave duhet të prekë edhe profesionet e lira
Krahas rishikimit të tarifave gjyqësore etj, jemi të mendimit që duhen riparë edhe tarifat e profesioneve të lira. Sjellim në vëmendje këtu se tarifat e avokatëve janë rishikuar për herë të fundit në vitin 2005, ndërkohë që tregu me dinamikën e tij ka ecur shumë përpara në të gjithë treguesit.
* * *
[1] Gjykata Kushtetuese, Vendimi nr. 9, dt 23 Mars 2010.
[2] Vendimi i Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian gjendet në faqen http://curia.europa.eu/juris/document/document.jsf?docid=67586&doclang=en
[3] Për më tepër http://ec.europa.eu/justice/newsroom/civil/news/130611_en.htm
[4] Këtu psh Komisioni rekomandon se tarifat emergjente dhe dëmshpërblimet ndëshkuese janë ty aspekte të rëndësishme të modelit class action Amerikan, që duhen shmangur.
[5]UN General Assembly, Resolution A/RES/40/34, Declaration of Basic Principles of Justice for Victims of Crime and Abuse of Power, A/RES/40/34, 29 November 1985.
[6]Basic Principles on the Role of Lawyers, Adopted by the Eighth United Nations Congress on the Prevention of Crime and the Treatmentof Offenders, Havana, Cuba, 27 August to 7 September 1990.
[7]Principles on the Effective Prevention and Investigation of Extra-legal, Arbitrary and Summary Executions, recommended by Economic and Social Council resolution 1989/65 of 24 May 1989.
[8]United Nations Basic Principles on the Use of Force and Firearms by Law Enforcement Officials, Havana, Cuba, 27 August to 7 September 1990.
[9]Kerkesa.18984/91,Vendimi i Dhomës së Madhe, 27 Shtator 1995.
[10]Paragraf 111.
[11]Manualet e të drejtave të njeriut, Nr.8 E drejta për jetën. Një udhëzues për zbatimin e Nenit 2 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Douwe Korf, Këshilli i Evropës, 2002, f. 40-41,
[12] Më shumë informacion shih http://www.opensocietyfoundations.org/projects/justice-and-development
[13]Mund ta gjeni në http://www.legal-aid.co.za/InternationalConference/International_Conference_on_Açess_to_Legal_Aid_in_Criminal_Justice_Systems/Home.html
[14]Resoluta gjendet në http://www.un.org/en/ga/search/view_doc.asp?symbol=A/RES/67/187 A comprehensive manual on the Principles and Standards, entitled Early access to legal aid in criminal justice processes: a handbook for policymakers and practitioners is available at http://www.unodc.org/documents/justice-and-prison-reform/eBook-early_açess_to_legal_aid.pdf
[15]Paragrafi 8 i Preambulës.